Andrea Lorenzo Capussela ka punuar në Kosovë si Shef i kontrollit ndërkombëtar. Ai ka folur mbi rolin e EULEX-it dhe rezultatet e këtij misioni, i cili këtej e tutje do të ndryshojë formatin.
Intervista për Deutsche Welle:
DW: Zotri Capussela, misioni juridik i EULEX-it është duke u përgatitur të largohet nga Kosova dhe vlerësimet për punën e tij janë të ndryshme. Disa e kritikojnë si të dështuar, disa e vlerësojnë se ka arritur suksese që janë evidente. Cili është mendimi juaj?
Dr. Capussela: EULEX ka qenë një ide shumë e mirë. Forcimi i shtetit juridik ka qenë prioriteti më i rëndësishëm për Kosovën në perspektivën afatmesme dhe misioni, konceptimi i tij ishte projektuar shumë mirë. Sepse Kosovës i mungonin instrumentet për të forcuar shtetin e së drejtës. Sistemi juridik në Kosovë vuante nga kompetenca, kapacitetet dhe sidomos pavarësia. E gjithë administrata publike në Kosovë është shumë e politizuar, është e korruptuar, dhe e sunduar nga klientelizmi dhe nepotizmi. Ju nuk mund të prisni nga një administratë drejtësie të jetë e aftë të ketë kredibilitetin dhe pasionin, për të dhënë drejtësinë e duhur në një afat të mesëm. Do duhej shumë më tepër kohë për këtë. Pra ideja ishte të bëheshin dy gjëra me EULEX-in: të mbështetej Kosova në krijimin e kapaciteteve, trajnimin dhe monitorimin si dhe më e rëndësishmja të merrej përsipër segmenti delikat i sektorit të drejtësisë. Sepse Kosova ka si detyrë të krijojë drejtësinë vetë, direkt. Të ketë policinë, prokurorinë dhe gjykatësit që mund të arrestojnë, dërgojnë në gjyq, ofrojnë avokatmbrojtës në sektorë shumë delikatë si korrupsion në nivel të lartë, krim të organizuar dhe krime lufte. Po ashtu kjo duhet bërë në fushën civile dhe në atë ekonomike me raste të vështira të pronave dhe privatizimit.
Pra ideja ishte shumë e mirë por zbatimi shumë i keq. Përgjigja pse ishte i keq është e gjatë. Në librin që kam botuar më 2015 unë jam marrë shumë me këtë pyetje. Përfundimi im është: E para detyra ishte shumë e vështirë. Kjo kërkonte përpjekje serioze nga Bashkimi Evropian. Fatkeqësisht, eficienca e makinerisë së politikës së jashtme të BE-së nuk dha prova të mira. Arsyeja e dytë është se ekzistonte pak vullnet politik për ta bërë këtë punë mirë.
DW: Nga ana e Kosovës?
Capussela: Jo, nga ana e BE-së. Në të vërtetë nga më shumë në Perëndim, sepse SHBA ka influencë shumë të madhe në Kosovë, shumë më të madhe se BE-ja. Por problemi këtu është se elita politike e Kosovës, dhe ajo ekonomike është e lidhur shumë me elitat kriminele. Ekzistojnë shqetësime se ato janë qarqe që i mbivendosen njëra – tjetrës. Kështu që shumë nga elitat politike janë të përziera në korrupsion dhe krim të organizuar dhe ato kanë qenë të involvuara edhe në krimet e luftës mbase gjatë viteve të konfliktit.
Pra zbatimi me pasion i sundimit të ligjit do të thotë edhe arrestimin dhe dërgimin para gjykatës të figurave të rëndësishme politike dhe biznesmenëve të rëndësishëm.
Komuniteti ndërkombëtar dhe Perëndimi mendojnë se stabiliteti afatshkurtër është i rëndësishëm në Kosovë. Aty ekzistonin dy prioritete vënia e stabilitetit nga njëra anë dhe forcimi i shtetit ligjor nga ana tjetër. Këto dy prioritete i kundërvihen njëri – tjetrit. Unë nuk jam kundër që stabiliteti politik është i rëndësishëm. Por kritika ime është se në ekuilibrin midis stabiltetit politik dhe vendosjes së shtetit ligjor, pesha më e madhe iu dha stabilitetit politik. Kjo shkoi deri në atë pikë sa prioriteti i shtetit të së drejtës u la krejt në harresë.
Ka shumë indikatorë që thonë se elita politike është e involvuar në korrupsion dhe krim të organizuar. Edhe pas dhjetë vjetësh asnjë figurë e rëndësishme politike nuk është arrestuar ose nuk janë zhvilluar hetime ose nuk janë çuar në gjyq për asnjë nga këto krime. Kjo është arsyeja e dytë e rëndësishme.
Hendeku që ekziston midis vullnetit politik për vendosjen e shtetit të së drejtës dhe rezultatit të arritur ka të bëjë me atë që menaxhimi i EULEX-it nuk pati stimujt e nevojshëm për ta bërë punën si duhet. Mjeshtrat e politikës nuk ushtruan presionin e duhur mbi ta, kështu që menaxhimi i EULEX-it veproi në mënyrë oportuniste. Ishte më e lehtë të jepje këshilla për shtetin e së drejtës, të trajnoje dhe të krijoje kapacitete se të arrestoje dikë për shembull, kështu që ata u përqendruan më shumë në dhënien e këshillave.
Rezultati ishte që nëse shohim indikatorët e dhënë nga Worldwide Governance Indicators publikuar nga Banka Botërore, aty vëmë re dy indikatorë që janë kualiteti i shtetit të së drejtës dhe kontrolli i korrupsionit. Këto dy indikatorë janë sinteza për gjithë analizat e vëna në dispozicion. Po t’i shohësh ato për vitet para se të shkonte EULEX-i në Kosovë dhe më pas, atëherë sheh se shteti i së drejtës ka ngecur në vend, efektiviteti nuk rritet dhe kontrolli i korrupsionit është keqësuar. Ndërkohë që për të njëjtat periudha në shtete të tjera të Ballkanit shteti i së drejtës është përmirësuar pak po ashtu si kontrolli mbi korrupsionin. Një paradoks, sepse BE-ja harxhoi 1,5 miliardë dollarë për EULEX-in, misionin më të madh civil të organizuar ndonjëherë nga BE. EULEX ka pasur personel tri herë më shumë nga çdo mision tjetër. EULEX ishte flamuri i politikës së jashtme evropiane. Pra megjithëse Kosova mori asistencë nga një mision shumë i rëndësishëm i politikës së jashtme evropiane në fushën e vendosjes së shtetit ligjor dhe kontrollit mbi korrupsionon, gjendja sot dhjetë vjet më pas, është më keq se në shtetet e tjera ballkanike, që nuk kanë pasur asistencë të krahasueshme.
Ky është një tregues shumë i mirë i dështimit.
DW: Po suksese a ka pasur në punën e EULEX-it?
Lorenzo Capussela: Pamja e përgjithshme është dështim sistematik. Brenda kësaj pamjeje ka edhe disa pika pozitive. Shërbimi për klientin që u këshillua nga EULEX-i nuk u keqësua. Ai ka kualitet të mirë krahasuar me institucionet e tjera të Kosovës. Po ashtu në fushën e kthimit të pronave janë arritur rezultate të mira, megjithëse kjo është një çështje delikate, sepse ka përplasje midis serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës. Por është e vështirë të gjesh shembuj të suksesshëm për gjëra më të mëdha.
Trump e zgjodhi këshilltar për sigurinë kombëtare, reagon Mi...
“Ujku i Çeliktë” – Kurti: Më shumë investim në ushtri,...
Gjenden të vdekur tre fëmijë në Francë, policia në kërkim të...
I gatshëm të largohet nga Arabia: Neymarit i ofrohet një meg...
SHBA ndalon linjat ajrore të fluturojnë në Haiti pasi dy avi...
Të paktën 15 të vdekur nga përplasja e të burgosurve në burg...