Caplan: Ndryshimi i negociuar i kufijve mund të normalizojë raportet Kosovë-Serbi

08:24 | 10 Shtator 2018
Arbresh.info

Ndryshimi i negociuar i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se një veprim i tillë do të normalizonte raportet midis dyja vendeve.

Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, Richard Caplan.

Caplan thekson se nga luftërat që shkatërruan ish-Jugosllavinë në fillim të viteve të 90-ta, sot dallimi me situatën midis Kosovës dhe Serbisë është se ndryshimi i kufijve që po shqyrtohet, do të ishte një ndryshim i negociuar dhe rrjedhimisht paqësor.

“Ndryshimet konsensuale janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, dhe se një ndryshim i tillë është arritur edhe gjetiu, si për shembull, shpërbërja e Çekosllovakisë, në dy shtete: Çekinë dhe Sllovakinë më 1993. Ndryshimet konsensuale të kufirit u diskutuan (por pa sukses) edhe në konferencën për Jugosllavinë më 1991”, thekson Caplan.

Ai theksoi se përderisa ndryshimi i kufijve mund të zgjidhë një problem siç është pakënaqësia e serbëve të Kosovës në veri të lumit Ibër, dhe si shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ekziston mundësia që të shkaktojë në migrime të pakicave nga këto pjesë të Kosovës dhe Serbisë, pasi ato nuk do të dëshironin të jetonin nën autoritetin e një sovraniteti të huaj.

“Ata që do të mbesnin do të ndjeheshin me siguri më të pambrojtur. Kështu, potenciali për një konflikt të mëtejmë do të reduktohej nëse autoritetet kosovare dhe serbe do të përkushtoheshin të ndërmarrin masa për mbrojtjen e të drejtave dhe promovimin e interesave të këtyre pakicave, edhe pse rezultatet e deritanishme në këtë drejtim kanë qenë të përziera”, thekson profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit.

Se idetë për ndryshim të kufijve a mund ta hapin ‘Kutinë e Pandorës’, Caplan thekson se “Shqetësime të ngjashme u vërejtën edhe me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës më 2008. Autoritetet ndërkombëtare ishin në veçanti të shqetësuara për pasojat që mund të ketë te serbët e Bosnjës. Megjithatë, kur Kosova e shpalli pavarësinë, autoritetet ndërkombëtare morën mundin të theksojnë dallimet midis dy rasteve, duke thënë se garantimi i pavarësisë për Republikën Serbe do të barazohej me pastrimin etnik, mbi bazën e të cilit serbët vunë dominimin në këtë rajon, dhe si e tillë do të ishte e papranueshme. Ky ndryshim i theksuar qëndron i heshtur sot, por që nuk është i vetmi: çdo rregullim i kufirit që të jetë i pranueshëm do të duhej të kishte mbështetje të gjerë në udhëheqjen politike dhe popullatën e gjerë në Kosovë dhe Serbi. Ende nuk është e qartë nëse një mbështetje e tillë ekziston në dyja vendet por është më se e qartë se nuk ekziston në Bosnje dhe Hercegovinë ose në Maqedoni. Nëse ndryshimi i kufijve arrihet me pajtueshmëri, kjo do të lejonte Serbinë dhe Kosovën të normalizonin raportet. Normalizimi i raporteve do t’ia mundësonte Serbinë dhe Kosovës to lëvizin përpara në rrugën e integrimeve evropiane”, tha ai.

Sipas Caplan, nuk është befasi që Shtetet e Bashkuara janë ‘agnostike’ për ndryshimin e kufijve pikërisht në këtë rast.

“Është e pritshme që ata të mirëpresin një marrëveshje që dërgon në përmirësimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, nuk është befasuese që Gjermania dhe Britania e Madhe, bashkë me disa shtete evropiane, kanë treguar më pak entuziazëm për këtë iniciativë, pasi ato frikësohen nga efektet që mund të ketë ndryshimi i propozuar i kufijve, pavarësisht mënyrës së veçantë dhe konsensuale që mund të arrihen këto ndryshime”, tha ai.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme të theksohet se kjo zgjidhje po buron nga udhëheqja lokale sesa si rezultat i diplomacisë ndërkombëtare.

“Rregullimi i negociuar i kufijve mund të jetë bazë për zgjidhjen e konflikteve kudo, siç edhe ka qenë rastet (jo pa probleme) të Etiopisë dhe Eritresë dhe Sudanit me Sudanin Jugor. Është shumë e rrallë që një vend të ketë vullnet që të heqë dorë nga sovraniteti i një pjese të territorit. Somalilandi, në veri të Somalisë, që ka qenë i pavarur në gjitha aspektet, përveç emrit, që nga 1991, është dëshmi se sa e vështirë është një zgjidhje e tillë”, tha ndër të tjera, Caplan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme