Google ADS

Caktohen katër seancat e para për gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

16:56 | 22 Shkurt 2023
E.H

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të fillojë më 3 prill.

Më 3, 4, 5 dhe 11 prill do të mbahen seancat e para të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Gjykimi ishte paraparë të niste më 1 mars, mirëpo që është shtyrë me kërkesë të mbrojtjeve dhe me pajtim të prokurorisë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme