Google ADS

Bytyçi: Letra drejtuar Pence shfaqi amatorizmin e skajshëm të Kurtit

20:26 | 7 Maj 2020
Arbresh.info

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi ka thënë se letra e adresuar zv. Presidentit amerikan, Pence, nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka shpërfaqur edhe një herë amatorizmin e skajshëm të kabinetit të tij qeveritar.

Sipas tij shteti i Kosovës vazhdon të shënojë pikën më të ulët të komunikimit diplomatik me mikun e përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tutje, Bytyqi tha se Kurti gjithashtu ofendoi ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani, Richard Grenell.

Ky është reagimi i tij i plotë:

Kryeministri tanimë i shkarkuar, z. Kurti, me letrën e tij të papjekur e joprofesional e ka turpëruar sërish shtetin e Kosovës.

Letra e adresuar zv. Presidentit amerikan, z. Pence, ka shpërfaqur edhe një herë amatorizmin e skajshëm të z. Kurti dhe kabinetit të tij qeveritar.

Si diletant në politikë, Kurti është munduar me këtë letër që të mbulojë akuzën e tij të turpshme se kinse Qeveria amerikane kishte ndërhyrë në politikën e brendshme të Kosovës duke ndikuar në rrëzimin e qeverisë që ai udhëheq. Bëhet fjalë për një deklaratë fyese ndaj miqve amerikanë që zuri vend në të gjitha mediat e njohura ndërkombëtare dhe ua kënaqi zemrën qarqeve anti-amerikane e proruse.

Mungesën e seriozitetit të kësaj letre e tejkalon vetëm niveli qesharak i përmbajtjes.

Kryeministri në detyrë, zyrtarisht e publikisht shpërfaq probleme të brendshme politike në adresë të një shteti mik dhe në fund e fyen edhe u.d. e Shefit të inteligjencës amerikane, z. Grenell duke e konsideruar atë të keq-informuar nga Presidenti i vendit për situatën në Kosovë. Qesharake, njeriu që ka qënë në krye të Inteligjencës Kombëtare në shtetin më të fuqishëm të botës na qënka i painformuar për Kosovën.

Kështu sot , falë lëvizjes radikale të majtë Vetëvendosje, shteti i Kosovës vazhdon të shënojë pikën më të ulët të komunikimit diplomatik me mikun e përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme