Google ADS

Buxheti prej 2.4 miliardë euro u planifikua për 21 ministri, problem do të jetë menaxhimi i projekteve

09:48 | 1 Shkurt 2020
Arbresh.info

Ministria e Financave ka finalizuar projekt-buxhetin për vitin 2020 në vlerë prej 2 miliardë e 467 milionë euro, buxhet ky më i lartë se ai i vitit të kaluar.

Përkundër kësaj ky buxhet nuk parasheh që të realizohet përmes vendosjes së një tatimi të ri apo rritjes së tatimeve ekzistuese.

Ministri në detyrë i Financave (MF) Lulzim Rafuna deklaroi se buxheti është përgatitur për 21 ministri, përfshirë edhe vendimet që janë marrë në qeveri.

Siç tha ai, buxheti pritet vetëm të procedohet dhe të aprovohet në Qeveri me pas edhe në Kuvend.

“Buxheti është nda në bazë të kërkesë së organizatave buxhetore duke pasur parasysh edhe programin qeverisë dhe prioritetet që i ka pasur Qeveria në detyrë për arsyeje se ky buxhet është përgatitur sipas situatës që gjendemi tani në përbërje të 21 ministrive dhe çdo organizatë buxhetore ka përgatitur buxhetin e tyre ne i kemi inkorporuar në buxhet të gjitha vendimet e qeverisë, përfshirë edhe vendimet që janë marrë në Qeveri të Republikës së Kosovës, kështu që është një buxhet i kompletuar dhe i gatshëm që të procedohet tutje”.

“Buxheti është finalizuar dhe ky buxhet duhet të shkoj në Qeveri që të aprovohet që më pas të procedohet tutje në Kuvendin e Kosovës. Në momenti që votohet nga deputetët ai bëhet ligj ku të gjithë do ta implementojë atë buxhet, ligjin e buxhetit të shtetit për vitin 2020. Buxheti në MF është final dhe vetëm dritën e gjelbër që të dërgohet në Qeveri të Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Rafuna.

Kurse njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa deklaroi se kjo rritje e buxhetit është trend normal, derisa thotë se problemi qëndron në realizimin e investimeve kapitale.

Mustafa e vlerëson si problem serioz menaxhimin e kontratave të projekteve nga ministritë.

Siç thotë ai se numri i vogël i ministrive në Qeverinë e ardhshme do t’i reduktoj shpenzimet, derisa potencoi se buxheti do të ballafaqohet me problemin e pakos sociale dhe Ligjit për Paga.

“Rritja e buxhetit prej 3.7 në 2 miliardë e 400 milionë është një trend normal i rritjeve. Problemi po qëndron në shpenzimin e buxhetit sidomos në realizimin e investimeve kapitale. Ekziston një shfrytëzim tejet i ulët i huave. Ne kemi parë se kontratat që janë lidh për projekte me organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë një shfrytëzim shumë të ulët edhe pas 3-4 vjet. Shfrytëzimi i mjeteve është 20%, do të thotë një problem i madh i menaxhimit të kontratave dhe atyre projekteve. Këtu mund të shihet një problem serioz”.

“Buxheti është bërë për strukturën ekzistuese të ministrive, do të ketë një ristruktim radikal së strukturës organizative të ministrive, aty mund të reduktohen shpenzimet, por shpenzimet kryesore janë në projektet e ndryshme të cilat janë të zotuara një pjesë e tyre sidomos në infrastrukturë. Problemi kryesor do të jetë të servisohet pako sociale dhe problemi me Ligjin për Pagat”, ka thënë Mustafa.

Profesori Mustafa deklaroi se me formimin e shpejt të Qeverisë do të rritet besimi i qeverisjes buxhetore dhe do të përmirësoj rritjen ekonomike.

Por, thotë ai se rritja ekonomike mbështetet në rritjen e investimeve deri në 700 milionë, e kjo mund të realizohet nëse pritjet marrin fund.

Ai mes tjerash i bëri ftesë partive politike që të formojnë sa më shpejt institucionet e reja, pasi sipas tij trendi i emigrimi është situatë serioze dhe problematike, raporton EO.

“Buxheti trashëgon probleme të theksuara të cilat duhet të menaxhohen. Problemi është më mënyrën se si do të formohet qeveria. Nëse një qeveri do të formohet shpejt e cila mund të kthej prej pritjeve të rënda në ekonomi luan një rol të rëndësishme. Por ekziston një pesimizëm edhe të bizneset edhe të konsumatorët nëse shpejt krijohen institucionet dhe rrisin besimin se qeverisja buxhetore dhe makroekonomike do të përmirësohet kjo edhe do të ndikoj në rritjen ekonomike”.

“Rritja ekonomike duhet të bazohet në rritjen e investimeve të sektorit publik dhe privat diku 700 milionë. Kjo mund të realizohet nëse përmirësohen pritjet. Nëqofëse konsumatorët rrisin optimizmin për konsum, ajo krijon një efekt shumëzues të rritjes së fuqisë ekonomike në Kosovë. Gradualisht e përmirëson edhe imazhin e Kosovës në botën e jashtme”.

“Mund ta rigjenerojmë një rritje ekonomike, me një politik të meqme mund të kalojmë një rritje prej 5 e mbi. Brengosëse është trendi i emigrimit të popullatës, situata është serioze problematike, prandaj duhet t’i bëjmë ftesë partive politike që t’i jepni vendit një qeverisje sa më të shpejt”, u shpreh Mustafa për EO.

 

Të ngjashme