Buxheti për drejtësi për vitin 2019 pritet të jetë rreth 6 për qind më i lartë se në vitin paraprak, bazuar në projektligjin e buxhetit për vitin 2019. Megjithatë, njohës të fushës së drejtësisë në Kosovë, këtë buxhet e konsiderojnë të pamjaftueshëm për t’i përmbushur zotimet e institucioneve të drejtësisë.
Në bazë të projektligjit për buxhetin e vitit 2019, fusha e drejtësisë pritet të ketë rreth 6 për qind buxhet më të madh se në vitin 2018.
Megjithatë, sipas njohësve të kësaj fushe, as buxheti i paraparë me këtë projektligj nuk mjafton që të përmbushen nevojat e parapara për këtë vit.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radio Kosovën se me këtë buxhet Qeverisë përsëri do t’i duhet që të ndërhyjë me vendime ad-hoc për financimin e projekteve të ndryshme në këtë fushë, gjë që, sipas tij, është ndërhyrje në këtë sistemin e drejtësisë.
“Ne jemi dëshmitarë që viti 2018 ka qenë një vit ku kemi pasur shkelje nga ana e Qeverisë së Kosovës përmes vendimeve për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë. Dhe kjo gjë tanimë duhet të adresohet në ligjin për buxhet në mënyrë që mos të ndodhë që të kemi ndërhyrje nga ana e Qeverisë, nga ana e ekzekutivit në sistemin gjyqësor e prokurorial”tha Miftaraj.
Që Qeveria nuk do të duhej të ndërhynte me vendime për rritje buxhetore në sistemin e drejtësisë për çështje të ndryshme, e pranon edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi.
Por, sipas tij, buxheti i cili është paraparë për vitin e ardhshëm, bazuar në kërkesat e gjyqësorit, është i mjaftueshëm.
“Sa më shpejt të nxirret Ligji për Pagat, aq më mirë do të jetë për të gjitha kategoritë, që mos të ketë nevojë qeveria me vendime të saja të rrisë pagat apo për një numër apo kategori të caktuar të sektorit. Shpresojmë që viti i ardhshëm të jetë vit ku kërkesat tona buxhetore të jenë të arsyeshme, për arsye se deri më tani ka pasur vështirësi dhe ne si KGJK për çdo pozitë që ka qenë e lejuar njëherë është dashtë t’i drejtohemi Ministrisë së Financave”, tha Idrizi.
Por, se buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm në fushën e drejtësisë është i mjaftueshëm, ka thënë edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj.
Sipas tij, KPK ka dërguar kërkesat e nevojshme për vitin e ardhshëm në Ministrinë e Financave, me të cilin është paraparë që të mbulohen të gjitha kërkesat.
“Ne si Këshill i kemi trajtuar seriozisht këto sfida, duke dërguar kërkesa të shumta dhe të argumentuara buxhetore në Ministrinë e Financave, në Qeveri dhe në Kuvend. Si rezultat me projektligjin për buxhetin e vitit 2019 është caktuar një kufi buxhetor më premtues, që nëse miratohet do të ndikonte në përmirësimin e shërbimeve të sistemit prokurorial”,tha Isufaj.
Sipas Isufajt, bazuar në projektligjin e buxhetit për vitin 2019, është paraparë që të ndahen 14 milionë euro, derisa gjatë këtij viti buxheti për këtë sektor ishte 8 milionë euro.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...