Buxheti mbi 3 miliardë| ekonomistët: Është rritur si pasojë e inflacionit dhe ngritjes së çmimeve

09:35 | 2 Nëntor 2022
L G

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka miratuar projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2023 në vlerë prej 3 miliardë e 212 euro.

Kosova deri më tani nuk e ka pas një shifër kaq të lartë të buxhetit.

Pas miratimit të këtij projektligji, kryeministri Albin Kurti, kishte pohuar se Kosova ka arritur rekord historik për rritje ekonomike.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gerxhaliu thotë se kjo rritje e buxhetit ka ardhur si pasojë e inflacionit dhe ngritjes së çmimeve.

Ai thotë se ky buxhet ka nevojë për dialog të mirëfilltë dhe transparencë.

“Në rend të parë Qeveria nuk ka nevojë për eufori sa i përket këtij buxheti sepse është shumë më tepër produkt i inflacionit, i krizës dhe i ngritjes se çmimeve në aspektin global sesa është performancë e doganës dhe ATK-së, dhe në këtë drejtim besojë që buxheti ka nevojë për dialog të mirëfilltë, ka nevojë për transparencë dhe në këtë drejtim prioritet duhet të jetë mbështetja e sektorit privat, nuk kemi arsye për eufori dhe të promovojmë këtë buxhet si buxhet zhvillimor, pjesa dërmuese do të jetë vërtet më tepër buxhet social por sidoqoftë rritje e mbështetjes për arsim, shëndetësi”, shprehet Gërxhaliu.

Sipas tij, duhet të ketë më tepër mbështetje të sektorit privat, pasi që kontribuon që ky buxhet të jetë i realizuar.

“Këto trende të inflacionit dhe ngritjes së çmimeve mund të arrihen shumë projeksione, por prapë barra do të jetë te sektori privat dhe duke pasur parasysh faktin që po barten shumë probleme nga viti 2022 në vitin 23, shumë projekte të pa përfunduara besoj që do të jetë mjaftueshëm, por sidoqoftë ky është realiteti, por kërkon transparencë dhe një dialog të mirëfilltë dhe një orientim kah mbështetësi i sektorit privat sepse ai është bartësi kryesor i gjenerimit dhe i krijimit të këtyre parashikimeve buxhetore”, pohon Gërxhaliu.

Limani: Është vlerë jashtëzakonisht e mirë në qoftë se Qeveria arrin të realizojë këtë parashikim

Në anën tjetër, Musa Limani, Eksperti i ekonomisë thotë se është pak e vështir në këto kushte të krizës ekonomike dhe problemeve sociale të arrihet kjo vlerë e paraparë. Por, sipas tij, edhe nëse arrihet është për shkak të inflacionit.

“Normalisht që në suaza të inflacionit të hyrat buxhetore në Kosovë rrjedhin nga ngritja e çmimeve, prandaj unë mos të them se jam skeptik, por ndoshta do të ishte pak e vështirë në këto kushte të krizës ekonomike dhe problemeve sociale që të arrihet një vlerë e paraparë e të hyrave buxhetore të Kosovës për vitin e ardhshëm. Sido që të jetë, të gjithë ne dëshirojmë që sa më shumë qeveria të ketë ngritje buxhetore dhe nëpërmes këtyre mjeteve do t’i kryej obligimet e saja. Problemi është se ato nuk janë siguruar nga ndonjë ndryshim i rrjedhave ekonomike dhe ndryshimit të efikasitetit dhe masave të politikës fiskale prandaj një vlerë e këtyre mjeteve është rrjedhim i ngritjes së çmimeve përkatësisht inflacionit”, pohon ai.

Megjithatë, Limani thotë se ngritja e çmimeve i sjellë fitore vetëm Qeverisë, dhe duhet të jetë shumë serioze kur deklaron publikisht.

“Se a i siguron apo jo, unë mendojë se në këtë drejtim qeveria duhet të jetë shumë serioze kur del publikisht dhe deklaron se buxheti do të jetë 3 miliardë e 2oo milionë. Në momentin kur ngritën çmimet në këtë rast fiton vetëm Qeveria, për arsye se nuk ndryshon në substancë sa i përket të hyrave por për shkak të ngritjes së çmimeve në norma të njëjta formohet një bazë më e lartë, shteti përfiton dhe ngrit të hyrat buxhetore. Vlera e ngritjes të hyrave buxhetore nuk është nga ndryshimet strukturore dhe burimeve do të thotë të politikave fiskale, por një pjesë e kësaj është pikërisht për shkak të ngritjes së çmimeve, ngritjes së normave të masave politikës fiskale”, shprehet Limani.

Kujtojmë se, buxheti i vitit 2022 ishte 2 miliardë e 748 milionë euro, ndërsa i vitit 2021 ishte 2,5 miliardë euro./ arbresh.info/ Vjollca Gajraku/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme