Google ADS

Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX), anëtare e plotë në Europex

11:55 | 9 Prill 2024
E.G

Nga data 3 prill 2024 Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) ka fituar statusin e anëtarit të plotë në Europex, nga statusi i anëtarit të asocuar që ishte nga janari i vitit 2022 e deri më tani.

Sipas njoftimit, ky anëtarësim shënon një hap të rëndësishëm për kompaninë dhe për tregun energjetik në përgjithësi, që i mundëson ALPEX-it qasje më të lehtë në tregun evropian, shkruan Arbresh.info.

“ALPEX si një sipërmarrje e përbashkët ndërmjet operatorit të transmisionit në Shqipëri (OST) dhe atij në Kosovë (KOSTT), u pranua si anëtare me të drejta të plota në Europex, ka të drejtën e votës dhe ka të drejtë të zgjidhet në organet drejtuese të Europex.”, thuhet në njoftim.

“Europex (Shoqata e Shkëmbimeve Evropiane të Energjisë) është shoqata më e rëndësishme e bursave të energjisë elektrike që prezanton interesa të tregjeve të energjisë elektrike, të gazit dhe ambientit i fokusuar në zhvillimin e kornizave rregullatore evropiane për tregun e energjisë elektrike, pra paraqet një platformë diskutimi në nivel evropian.”, thuhet tutje.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se aktivitetet kryesore të anëtarëve të Europex përfshijnë funksionimin e tregjeve me shumicë të energjisë elektrike, gazit dhe emetimeve në afate kohore afatgjata dhe afatshkurtra.

“Sot të gjitha Bursat e Energjisë Elektrike të vendeve të BE-së janë anëtare të Europex, si dhe shumica e Bursave të Energjisë Elektrike nga vendet jo anëtare të BE-së.”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Në Shoqatën e Shkëmbimeve Evropiane të Energjisë (Europex) janë 33 bursa anëtare, përfshirë të gjitha bursat e energjisë elektrike të vendeve të BE-së./Arbresh.info/

Të ngjashme