Burri që e vrau gruan në Kamenicë, ishte i akuzuar për sulm ndaj saj edhe në vitin 2017 (AKTAKUZA)

16:42 | 28 Korrik 2020
L G

Dhuna ndaj 34 vjeçares Sabile Mavrovqani nga komuna e Kamenicës, e cila u qëllua për vdekje të shtunën nga bashkëshorti i saj, Nuhi Mavrovqani, kishte kohë që kishte filluar.
Madje, tri vjet më parë, tashmë e ndjera Sabile Mavrovqani ishte bërë për spital, pikërisht nga goditjet që kishte marrë nga burri i saj, Nuhiu, i dyshuar për vrasjen e saj.

Ishte 17 korriku i vitit 2017 ora 15:55, derisa po punonin në arën e tyre në fshatin Berivojc, Nuhi Mavrovqani e kishte goditur me bisht të sëpatës bashkëshorten e tij në kokë, krahë dhe shpinë tashmë të ndjerën 34 vjeçare, raporton arbresh.info.

Rasti ishte raportuar në polici, dhe e ndjera kishte marrë tretman mjekësor.

Për këtë Prokuroria Themelore në Gjilan-Dega në Kamenicë kishte ngritur aktakuzë ndaj Nuhi Mavrovqani nën akuzën për ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’.

“Me datë 17.07.2017 rreth orës 15:55 në fshatin Berivojc komuna e Kamenicës, i pandehuri me dashje dhe me qëllim të dëmtimit të integritetit trupor të të dëmtuarës, bashkëshortes tij Sabile Mavrovcani e ka goditur të njëjtën me mjet të fort-bisht të sëpatës, i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, ose dëmtim të rëndë të shëndetit, thuhet në aktakuzën e ngritur nga prokurorja Leonora Shemsiu-Kadriu.

Në këtë aktakuzë të siguruara nga arbresh.info, thuhet se pas një fjalosje me bashkëshorten e tij, i dyshuari e kishte goditur papritmas atë në disa pjesë të trupit, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Po ashtu pas një fjalosje paraprake gjatë kohës sa ishin duke punuar në arën e tyre në fshatin Berivojc, i pandehuri me një bisht sëpate të dëmtuarën e sulmon fizikisht duke e goditur një herë në kokë, një herë në krahë dhe një herë në shpinë. Të dëmtares i shkaktohen lëndime trupore, si pasoj e të cilave detyrohet të kërkoj ndihmë mjekësore të evidentuara në Spitalin Rajonal në Gjilan”, thuhet në aktakuzë.

“Sipas përshkrimit faktik të veprës penale në diapozitivin e aktakuzës, rezulton se vepra është kryer me dashje nga i pandehuri Nuhi Mavrovqani dhe i njëjti, veprimet e veta i ka ndërmarr me qëllim të dëmtimit të integritetit të të dëmtuarës-bashkëshortes Sabile Mavrovcani pas një zënke familjare që kishin pasur derisa ishin duke punuar në arë në fshatin Berivojc ku papritmas i pandehuri tensionohet dhe e godet me bishtë të sëpatës tri herë në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet tutje në aktakuzë.

Ndryshe, të shtunën (25 korrik) rreth orës 13:20, Nuhi Mavrovqani kishte goditur gruan e tij Sabilen me shufër metalike në kokë, pasi ajo ishte rrëzuar në tokë, ai kishte vazhduar ta godas atë deri në vdekje.

Rasti në polici ishte raportuar nga vetë Nuhiu, i cili edhe ishte arrestuar nga policia.

Një ditë më vonë, Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit.
Përveç mosmarrëveshjes me viktimën (bashkëshorten), ende nuk dihet motivi i saktë që kanë shtyrë të dyshuarin të kryej aktin kriminal./arbresh.info/Gita Lushi/

AKTAKUZA E PLOTË:

 

Të ngjashme