Google ADS

Burgu i Sigurisë së Lartë| Rrëfime të burgosurve pas vaksinimit me dy dozat

12:02 | 21 Gusht 2021
L G

Ditë më parë në Burgun e Sigurisë së Lartë, në Gërdovc së Podujevës, është bërë vaksinimi i 80% të të burgosurve me dozën e dytë të vaksinës anti-covid, shkruan arbresh.info.

Të burgosurit sugjeruan marrjen e vaksinës të gjithë atyre që janë në pritje për të marr, madje këshilluan se është në të mirë të shëndetit.

“Shumë mirë. Unë i këshilloj dhe i sugjeroj të gjithë të dënuarit edhe gjithë popullata shqiptare kudo qoftë që janë, që të vaksinohen, pasi që vaksina është shëndeti jonë, ku na mbron ne dhe të tjerët”, shprehet një i burgosur.

Edhe një i burgosur tjetër thotë se po vaksinohet me dozën e dytë.

“Jam duke u vaksionu me dozën e dytë, Shumë mirë po ndihna, komod. Gjithsesi duhet me marr vaksinën, është për të mirën e njerëzimit, ku besoj që e kanë marr dhe Pristoni, Kryeministri e Presidenti dhe s’kemi arsye na mos me marr. Jo skam pas simptoma fare”, deklaroi ai.

Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj, për arbresh.info, tha se është rritur interesimi nga të burgosurit për tu vaksinuar edhe nga ata të cilët kanë hezituar.

“Doza e parë e vaksinimit ka fillu para pesë jave ku një numër i konsiderueshëm i stafit dhe të burgosurve iu kanë nënshtruar vaksinimit dhe thirrjes për vaksinim. Saktësisht 45.45% të stafit, janë vaksionu para pesë jave me dozën e parë, po ashtu edhe rreth 80%, të të burgosurve janë vaksionu me dozën e parë para pesë jave. Këto ditë kemi startu për vaksinim të stafit dhe të burgosurve, ku ka qenë një interesim mjaft i mirë, për dozën e dytë dhe me ata që kanë mbet herën e parë me dozën e parë. Po ashtu edhe një numër i stafit iu është nënshtruar vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare nëpër vendet ku jetojnë, kështu që do të mbesin vetëm 20 persona që janë deklaruar që nuk do e marrin vaksinën”, tha drejtori.

Buleshkaj, po ashtu tha se të burgosurit kanë pasur mundësi zgjedhje se cilën vaksinë duan ta marrin.

“Nuk kemi pasur shumë nevojë për ti bindur, të gjithë kanë shpreh gatishmërinë për ti marr. Përveç që janë përcaktua ka qenë mundësia edhe për dy llojet e vaksinës çfarë janë duke u ofruar edhe për qytetarërt në Republikën e Kosovës, Astra Zeneca, dhe Phizer, ku më pak e kërkueshme është Astra Zeneca”, tha Buleshkaj.

Ndërkaq Arber Lama, mjek në burgun e Sigurisë së Lartë, i cili ishte duke u marr me procesin e vaksinimit, për arbresh.info tha se vaksinimi është duke vazhduar ne rregull dhe se interesimi i të burgosurve është mjaft i madh.

“Këto ditë kemi vazhdua me vaksinimin, pra me dozën e dytë të vaksinimit si dhe dozën e parë të burgosurve që kanë pas refuzua herën e parë. Duke e falënderua Ministrinë e Shëndetësisë, dhe drejtorin e burgjeve, vaksinimi ka shkuar në rregull, kemi pasur vaksina të mjaftueshme kur për veç të burgosurve janë vaksinuar edhe stafi shëndetësor. Simptoma kanë pasur vetëm të lehta si temperaturë të cilat kanë qenë të menaxhueshme brenda stacionarit tonë “, tha Lama.
Buleshkaj tha se vetëm 20 të burgosur kanë qenë të infektuar me Covid-19, pa simptoma, dhe janë trajnuar brenda institucionit.

“Diku rreth 20 të burgosur kanë qenë të infektuar me covid-19, por që kanë qenë pa simptoma dhe të gjithë janë trajtua brenda institucionit, nuk kemi pas nevojë asnjë ta dërgojmë jashtë këtij vendi”, tha Buleshkaj.

Gjendja shëndetësore dhe psikologjike ani pse brenda mureve të burgut, mbyllja totale ka ndikuar edhe tek të burgosurit.

Isë Mehmeti, udhëheqës i njësisë shëndetësore në burgun e Sigurisë së lartë, për arbresh.info tha se mbyllja totale në kohën e pandemisë pati ndikuar jashtëzakonisht shumë tek të burgosurit.

“Sa i përket aspektit psikologjik edhe gjendjes psikologjike, më shumë vështirësi kemi pas gjatë menaxhimit me pandeminë me mbylljen edhe pse është burg edhe këtu ka qenë një lloj mbyllje, pasi që u është ndalur vizitat e shpeshta, një kohë u ndaluan gjitha vizitat. Mandej u ndaluan të drejtat e vikendeve që i kanë me shku tek shtëpiat e veta me i pa familjarët e tyre, e kjo ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm por fal punës dhe përkushtimit të drejtorit të departamentit, Dr.Milazim Gjocaj, në bashkëpunim me stafin. Gjatë kohës së pandemisë sigurisht që gjendja psikologjike emocionale e të burgosurve pati ndryshuar dukshëm. Tani është një gjendje stabile. Përveç këtyre ditëve ku është vapë e madhe dhe shumica e këshillave të doktorëve për ta është me pi ujë sa më shumë edhe sot edhe dje që kemi vaksinu”, deklaroi Mehmeti.

Mungesa e barnave në kohën e pandemisë ishte bërë problem për qytetarët në Republikën e Kosovës, por jo edhe për të burgosurit në Burgun e Sigurisë së Lartë.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Kryeinfermieri si dhe përgjegjësi për barnatore, Ilir Nimani, në Burgun e Sigurisë së Lartë.

“Jemi mjaftë të pajisur me mjete, ka pasur mjaftueshëm, d.m.th, edhe lista esenciale është mjaft e pasur me barna, çka janë jashtë janë edhe këtu. Mungesë nuk kemi në asnjë bari, maska dezinfektues ka pasur mjaftueshëm. Çdo herë i kemi shpërndarë edhe tek te burgosurit, oficerët cdo pikë. Portat ku janë lëvizshmërit më shumë, dhe kontrollet”, tha ai.

Menaxhmenti i Burgut të Sigurisë së Lartë është përkujdesur në masë të madhe dhe të rregullt për informimin e të burgosurve në kohën e shpërthimit të pandemisë ku janë shpërndarë fletushka në vetëdijesimin e tyre, si dhe shërbimi spitalor në 24 orë me nga 12 orë punë.

“Ne këtu e kemi stacionarin, një spital i vogël, ku kemi tre mjek të cilët e mbulojnë 24 orë, janë për 12 orë në detyrë dhe 12 të tjera janë në thirrje. Kemi stafin e infermiereve të cilët e mbulojnë për 24 orë, e po ashtu e kemi edhe konsultat të jashtme të gjitha sferave që varësisht nga nevojat e tyre këtu vinë me ftesë të mjekut dhe kemi psikologun çdo ditë, stomatologun, kështu që e kemi të mbuluar me të gjitha fushat, ku të gjithë janë staf i Ministrisë së Shëndetësisë. Kemi pas shpërndarje të fletushkave të ndryshme, po ashtu stafi shëndetësor ka qenë i angazhuar krahas zhvillimeve dhe përkeqësimit të gjendjes jashtë, pra ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm në mbrojtjen, vetëdijesimit, për masat mbrojtëse dhe gjitha këto kemi arrit të kemi një gjendje shumë më të mirë se sa popullata jashtë, ku gati dy vite pandemi nuk e kemi asnjë humbje jete brenda institucioneve prej pandemisë”, deklaroi Buleshkaj.

Siguria dhe ruajtja e shëndetit të të burgosurve në Burgun e Sigurisë së Lartë mbetët një nga parimet kryesore, që deri më sot është në shkallë të lartë të funksionimit./S.D/arbresh.info/

Të ngjashme