Gjykata Themelore e Prishtinës, të martën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj, Drita Rukiqi dhe Qemajl Pozhegu.
Sipas këtij aktgjykimi, të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”, i akuzuari Haliti është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) viteve, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe atë, nga 3 prill 2014 deri më 27 dhjetor 2014.
Për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”, i njëjti është dënuar me gjobë në shumë prej 1,000 euro.
Për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, i akuzuari Canolli është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ai është dënuar me gjobë në shumë prej 1,000 euro.
Të akuzuarit Syla, Abdullahu dhe Ibishi janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajve, i cili dënim, sipas gjykatësit Kalludra, me pëlqimin e tyre do t’iu shndërrohet në dënim me gjobë në shumë prej 12,000 euro. Të akuzuarës Syla, po ashtu do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Me gjashtë (6) muaj burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Ajeti, Shala dhe Rukiqi, me pëlqimin e të cilëve, ky dënim do t’iu zëvendësohet me gjobë në shumë prej 10,000 euro.
Po ashtu, me gjashtë (6) muaj burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Muhadri dhe Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohet me gjobë në shumë prej 8,000 euro.
Kurse, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18,000 euro gjobë.
Në rast të mos pagesës së gjobës, gjykatësi Kalludra tha se të akuzuarve do t’u llogaritet nga 20 euro për një ditë burgimi.
Po ashtu, të akuzuarit janë obliguar të paguajnë shpenzimet e procedurës penale si dhe shumën prej 300 euro në emër të paushallit gjyqësor.
Tutje, të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala u janë konfiskuar pasuritë e fituara me kryerjen e veprave penale.
Ndryshe, Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, akuzohen se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...