Burdushi dërgohet në vuajtje të dënimit me burg

19:14 | 16 Nëntor 2023
E.H

Pasi Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi” edhe për herë të dytë i ishte refuzuar kërkesa për shtyrje e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit me burgim (nga Gjykata Themelore dhe më pastaj edhe nga Gjykata e Apelit), Burdushi është dërguar në vuajtje të dënimit me burg.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, mbrojtësi i Burdushit, avokati Feim Alaj.

“Përmes urdhëresës së gjykatës, Policia ka shkuar në shtëpi dhe e ka marrë të akuzuarin Burdushi për ta dërguar në vuajtje të dënimit me burgim”, tha Alaj.

Avokati Alaj shtoi se Burdushi është marrë për t’u dërguar në burg, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktvendimit të 27 tetorit 2023 kishte refuzuar kërkesën e “Burdushit”, duke e obliguar të njëjtin që të paraqitet të nesërmen në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për të filluar me mbajtjen e dënimit me burgim.

Ndaj këtij vendimi, përmes avokatit Durim Osmani, “Burdushi” më 31 tetor 2023 kishte parashtruar ankesë për në Gjykatën e Apelit me kërkesën që të prishet vendimi i Themelores dhe çështja të kthehet në rivendosje.

Por, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar dhe e ka vërtetuar vendimin e Themelores me arsyetimin se nga raportet mjekësore nuk është vërtetuar se “Burdushi vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë dhe se në rast komplikimi mund të marrë kujdesin e duhur edhe gjatë qëndrimit në burg.

Ndaj “Burdushit” ishte refuzuar edhe kërkesa e parë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burgim edhe nga Themelorja por edhe nga ajo e Apelit, duke kërkuar që i njëjti të paraqitet për vuajthe të dënimit me burgim prej 4 vite e 6 muaj.

Mirëpo “Burdushi” përkundër këtyre vendimeve përmes mbrojtësve kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për në Gjykatës Supreme me kërkesë për shtyrje të vuajtjes së dënimit me burgim.

“Burdushi” më 10 janar 2023 ishte dënuar nga Themelorja me 4 vite e 6 muaj burgim dhe me 42 mijë euro gjobë për shkak të ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Apeli, por edhe nga Supremja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme