Çdo vit secili zyrtar që punon në institucionet shtetërore të Kosovës, e ka obligim të deklarojë pasurinë e tij.
Krejt kjo për të parandaluar korrupsionin nëpër institucionet shtetërore, raporton “Arbresh.info”.
Por, jo të gjithë i përgjigjen kësaj ftese. Dikush nga neglizhenca, të tjerët nga mos përvoja, por ka edhe nga ata që hezitojnë.
Për të mësuar më shumë rreth procesit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve shtetërorë, sa prej tyre kanë deklaruar pasurinë, e shumë të tjera, për “Arbresh.info” ka folur drejtori i Agjencionit për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj.
Buleshkaj, ka thënë se të premten është afati i fundit për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët. Sipas tij, deri tani janë afër 600 punonjës që kanë nisur procesin e deklarimit, ndërsa rreth 300 prej tyre ende nuk e kanë filluar fare këtë proces.
Sipas drejtorit Buleshkaj, dënimet janë me burg dhe gjobë, ku prokuroria e Kosovës, do të fillojë me punën e saj për të ngritur padi ndaj atyre që nuk e deklarojnë pasurinë, një muaj pas përfundimit të afatit.
Sipas Buleshkajt, me krijimin e formularit online, procesi i deklarimit është shumë më i lehtë dhe pa ngarkesa dhe shumë i lehtë për t’u menaxhuar.
Por, ka edhe shumë zyrtar të cilët kanë kërkuar shtyrjen e afatit, mirëpo sipas Buleshkajt, këtë nuk e mundëson ligji që kjo të ndodh tani, por vetëm pasi të përfundojë procesi dhe të fillojnë dënimet ndaj mos deklaruesve./Arbresh.info/ Pleurat Salihu/
Për më shumë ndiqeni intervistën e plotë të drejtorit të APK-së, Yll Buleshkaj:
Arbresh.info: Kur do të përfundojë afati për deklarimin e pasurisë?
Yll Buleshkaj: Afati i fundit i deklarimit të rregullt të pasurisë, pra për dorëzimin e raporteve vjetore të pasurisë është nesër do të thotë në fund të ditës. Tashmë e kemi vënë në funksion sistemin online të deklarimit, i cili sistem do mundësojë dorëzimin e këtyre deklaratave deri në mesnatë, do të thotë afati i fundit është nesër deri në mesnatë.
Arbresh.info: Sa zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë deri tash?
Yll Buleshkaj: Deri më tani janë rreth 300 zyrtarë që nuk kanë hy në sistem apo nuk e kanë dorëzuar pasurinë, ndërsa janë rreth 300 të tjerë që e kanë filluar deklarimin e pasurisë por, ende nuk e kanë përfunduar, sepse ky sistem elektronik i vënë në funksion na jep mundësinë që të monitorojmë gjendjen live se si është procesi i deklarimit.
Arbresh: Info: Sa prej tyre kanë kërkuar afat shtesë për deklarim të pasurisë?
Yll Buleshkaj: Ka disa, janë ndoshta dhjetë të cilët kanë kërkuar afat shtesë, por, ligji nuk na jep afat shtesë sepse afati ligjor është fundi i muajit mars. Të gjithë ata që do të vonohen, pastaj do të jenë subjekt i një gjobe mandatore prej 30 për qind të pagës së tyre dhe deri në 500 euro, të cilët duhet ta paguajnë, e pastaj e kanë një afat shtesë prej 15 dite për ta dorëzuar raportin e tyre të gjendjes financiare të tyre për vitin e kaluar.
Arbresh.info: Sipas jush, cilat janë arsyet që këta zyrtarë nuk i kanë deklaruar pasuritë e tyre. A ka të bëjë kjo me hezitimin, apo vështirësi në mbushjen e formularëve?
Yll Buleshkaj: Po besojë që më shumë është çështje neglizhence. Mbushja e formularit nuk është diçka komplekse, shumica e këtyre zyrtarëve në qoftëse jo të gjithë e kanë përvojën në dorëzimin e këtyre formularëve dhe plotësimin e formularëve. Tashmë vënja në funksion të platformave të ndryshme, qoftë për aplikim për viza, qoftë për aplikim që më herët i kemi pas për vaksinim, e tjera, ka krijuar kulturë të përdorimit të platformave elektronike edhe aplikacioneve elektronike dhe besojmë që nuk është ndonjë problem teknik apo i njohurive për të përdorur aplikacionin për të deklaruar pasurinë. Përveç kësaj ajo që është për t’u përshëndetur që platforma apo aplikacionin, në asnjë moment nuk ka rënë jashtë sistemit, por, gjithmonë ka qëndruar dhe secili që ka filluar ta plotësojë këtë formularë çoftë në orar të punës apo pas orarit të punës, apo në mesnatë, apo pas mesnate nuk ka pasur telashe teknike për t’iu qasur apo për ta plotësuar atë. Ç‘është e vërteta, legjislacioni i ri i cili e rregullon punën e Agjencisë, por, edhe legjislacioni që e rregullon punën e deklarimit të pasurisë dhe gjithë procesin, tashmë kërkon pak më shumë detaje se më herët. Janë disa detaje që nuk kanë qenë në deklarimet e më hershme e ndoshta ka vonuar pak edhe procesin e deklarimit, sepse më herët nuk është kërkuar numri i zonës kadastrale apo i parcelës për pronën e paluajtshme, tashmë këto kërkohen. Tani kërkohen, kërkohen edhe pronarët e më hershëm, janë disa detaje shtesë të cilat kërkohen me ligjin e ri e të cilat ndoshta edhe i kanë vonuar. Por, prapë se prapë ne ju bëjmë thirrje që mos ta lënë në momentin e fundit për ta bërë deklarimin e pasurisë, ta bëjnë sa më herët. Ne jemi të kënaqur me përgjigjen që i është dhënë aplikacionit, tashmë i kemi mbi 85 për qind të zyrtarëve të cilët e kanë përdorur aplikacionin tonë dhe e kanë dorëzuar në formë elektronike deklaratën e tyre të pasurisë.
Arbresh.info: A mund të na thoni pozitat e zyrtarëve, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë?
Yll Buleshkaj: Më herët e kam marrë një listë të atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë, mund të them që ka deputet që ende nuk e kanë deklaruar pasurinë, ka edhe ministra të cilët ende nuk e kanë deklaruar pasurinë, ka shumë asambleistë të cilët për herë të fundit e deklarojnë pasurinë, pastaj lirohen nga legjislacioni për deklarim të pasurisë, ka edhe nga ndërmarrjet publike numër pak më të madh të zyrtarëve të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë.
Arbresh.info: Kur do të publikohen pasuritë e deklaruara të zyrtarëve shtetëror dhe komunal nga APK?
Yll Buleshkaj: Ne besojmë që brenda 30 ditësh nga dita e fundit e afatit ne do t’i bëjmë të qasshme të duken edhe në vebfaqen tonë, do të thotë në fund të muajit prill më së largu në fillim të muajit maj do të jenë të qasshme. Për derisa ne më herët këtë e kemi bërë shumë më vonë sepse është dashur që ne të dhënat t’i fusim vet një nga një edhe na ka marrur shumë kohë, tashmë këto i kemi më lehtë të përpunueshme dhe do të jenë të qasshme edhe për publikun shumë më shpejt.
Arbresh.info: Sa ditë pas përfundimit të afatit të deklarimit APK i dërgon rastet në Prokurori?
Yll Buleshkaj: Ne do të mundohemi që sa më shpejt që është e mundur t’i dërgojmë ato që ndërlidhen me deklarimin e pasurisë në lidhje me kalimin e afatit sepse kemi pastaj edhe një proces tjetër i cili ndërlidhet me verifikimin e të dhënave të cilat janë raportuar, sepse jo nuk do të thotë që domosdoshmërisht dorëzimi i formularit është krye puna dhe obligimi. Zyrtarët e lartë dhe zyrtarët publik që ju kërkohet deklarimi i pasurisë duhet ta bëjmë në formë të saktë, do të thotë pas kësaj faze do të vije faza kur do të bëhet verifikimi i këtyre të dhënave, e pastaj për ta po besoj që do të merr më shumë kohë kjo puna e verifikimit të pasurisë, ndërsa për rastet që e tejkalojnë afatin, ne besojmë që brenda dy muajsh do t’i dërgojmë në prokurori.
Arbresh.Info: Të gjithë ata që nuk e deklarojnë pasurinë, a ka ndryshuar ligji apo të gjithë dënohen vetëm me gjobë, apo mund të sanksionohen me burg?
Yll Buleshkaj: Deri më tani e kemi praktikën ku shumica e këtyre zyrtarëve të cilët edhe dështojnë për ta dorëzuar aplikacionin, formularin me kohë dënohen me gjobë dhe burg me kusht. Ai Nen në Kodin Penal nuk ka ndryshuar, do të thotë Kodi Penal e parasheh dënimin me burg, pastaj është në diskrecionin e Gjyqtarëve për të se a do të shkoj në burg efektiv apo burgim me kusht. Por, sido që të jetë dëmet janë të mëdha në një formë apo në një formë tjetër, kemi ligjin e procedurës penale i cili tashmë është në funksion dhe nëse nuk gaboj, secili zyrtar i cili do të bëhet subjekt me aktakuzë për kapitullin ku hynë edhe shkeljet e deklarimit të pasurisë dhe kapitulli kundër korrupsion gjykatësi është i obliguar të merr masën e pezullimit nga detyra zyrtare për shembull. Kështu që do të thotë, shkeljet e këtyre afateve dhe mos saktësia është shumë e rëndë, qoftë edhe nëse dënimi final nuk është me burgim efektiv por edhe me kusht sepse ka shumë mundësi ose të pezullohen nga detyra e tyre ose të detyrohen të japin dorëheqje nga pozita e tyre zyrtare.
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...