Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në takim anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, të emëruar në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, thuhet në një komunikatë.
Në emër të Bordit, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, njëherësh edhe Kryesuese e Bordit, e njoftoi kryeministrin Kurti për mbledhjen konstituive të mbajtur dje dhe për vendimet e marra në këtë mbledhje. Përveç zgjedhjes së Kryesueses dhe Zëvendës kryesuesit të Bordit, me shumicë votash, në këtë mbledhje u vendos që të largohet përkohësisht nga puna drejtori i deritanishëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi. Në vend të tij, ushtruesi i detyrës së Drejtorit, u emërua Bujar Kaçuri.
Duke pasur për qëllim të përbashkët ndërtimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, anëtarët e Bordit Drejtues u shprehën se këtij sistemi i paraprijnë hartimi dhe finalizimi i protokolleve klinike, standardizimi i licencimit të profesionistëve shëndetësorë dhe mbi të gjitha finalizimi i sistemit informativ shëndetësor dhe ndërlidhja e tij me të gjitha sistemet tjera relevante. Ata thanë se situata paradoksale prej vitit 2015 e sigurimeve shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Shëndetësore, ku sigurimet nuk ekzistojnë sepse nuk ka filluar asnjëherë mbledhja e primit të sigurimeve e ndërkaq që Fondi kryen funksionin e trajtimit të rasteve jashtë institucioneve publike shëndetësore, do të korrigjohet së shpejti teksa punohet për sistemin e sigurimeve shëndetësore.
Kryeministri Kurti uroi anëtarët e Bordit për detyrën e tyre të re dhe u dëshiroi suksese në përmbushjen e synimeve të tyre, që njashtu janë edhe të Qeverisë. Ai tha se Bordi ka mbështetjen e plotë të Qeverisë në realizimin e përgjegjësive dhe qëllimeve të tyre, teksa vendosi theksin te rëndësia e transparencës së këtij institucioni./arbresh.info/
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?
Kearns, Vuçiqit: Mohimi është vazhdimësi e krimeve, ajo që f...
Leverkuseni i Xhakës synon vetëm fitore ndaj Salzburg
Aktivistët e LVV-së në Mitrovicë me pankarta ku “kërko...