Gjendja e keqe shëndetësore e ish-ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshit, si dhe kërkesa për veçimin e procedurës penale ndaj tij ka bërë që seanca e planifikuar për ditën e sotme të shtyhet për kohë të pacaktuar.
“Jemi në ngecje të këtij shqyrtimi gjyqësor në mungesë të Bujar Bukoshit… Jemi njoftuar se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore, në regjim shtrati”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.
E mu për këtë shkak, mbrojtësi i Bukoshit, avokati Besnik Berisha i kërkoi trupit gjykues që ndaj klientit të tij Gjykata ta veçojë procedurën penale.
“Gjendja e zotit Bukoshi është në papërshtatshmëri për të iu nënshtruar një gjykimi të kësaj natyre apo çfarëdo gjykimi tjetër. Ky fakt tashmë është i njohur për këtë Gjykatë. Një procedurë është veçuar po në këtë Gjykatë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore”, u shpreh avokati Berisha.
Berisha tha se dokumentacioni shëndetësor lidhur me gjendjen shëndetësore të klientit të tij është i deponuar në Gjykatë lidhur me një rast tjetër dhe në qoftë se Gjykata kërkon që edhe pranë këtij trupi gjykues përsëri të deponohet dëshmi mbi gjendjen shëndetësore të Bujar Bukoshit, këtë gjë avokati tha se është i gatshëm ta bëjë në një seancë jopublike.
Një propozim të tillë të parashtruar nga ana e mbrojtjes nuk e kundërshtoi as prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu, por ajo tha se mbrojtja është e detyruar që edhe para këtij trupi gjykues të paraqes dokumentacionin i cili do të shërbejë si provë lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit në fjalë.
“Prokuroria pranon propozimin e mbrojtjes për veçimin e procedurës kundër tij. Mirëpo kërkon që Gjykata të sigurojë provë valide për ta arsyetuar veçimin e procedurës. Gjykata nuk mund të jap veçim me llafe goje, duhet me pasë ndonjë arsyetim. Për mua mjafton me e pasë Gjykata e jo unë”, deklaroi prokurorja Fejzullahu.
E lidhur me këtë propozim të mbrojtjes, trupi gjykues pasi që u tërhoq për këshillim dhe votim vendosi që ta aprovojë propozimin, por tha se para se Gjykata të marrë aktvendimin lidhur me këtë çështje, do të kërkohet mendimi profesional lidhur me gjendjen shëndetësore të Bukoshit.
“Aprovohet propozimi i mbrojtjes për veçim procedure por para se të merret aktvendimi për veçim të procedurës penale, do të merret një mendim profesional lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe gjendjen e tij për të përcjell procedurën penale. Do të shikohet edhe një herë aktakuza dhe precizimi i saj dhe do të vendoset lidhur me pikat për të cilat pretendohet se ka arritur parashkrimi”, deklaroi gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.
Më pas shqyrtimi gjyqësor u ndërpre për një kohë të pacaktuar deri sa të vendoset në lidhje me këto rrethana.
Ky rast i cili është kthyer në rigjykim, është duke u gjykuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, me anëtaret e trupit gjykues, gjykatësit Valbona Selimaj dhe Vesel Ismajli.
Të akuzuarve, Prokuroria u vë në barrë vepra penale që kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me punën e tyre gjatë periudhës sa kanë qenë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në këtë rast, të akuzuar pos Tolajt e Bukoshit janë edhe zyrtarë tjerë të kësaj ministrie: Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi në bazë të aktakuzës së ngritur nga EULEX-i, akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit.
Kurse ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, akuzohet për 12 pika të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimeve, një pikë për dhënie të ryshfetit, një për shmangie nga tatimi si dhe për pengim të të provuarit.
Ilir Tolaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë u gjet fajtor vetëm për dy pika të aktakuzës dhe atë për pikën 1.3 që është shpërdorimi i detyrës zyrtare ose autorizimit të cilën Gjykata e ndryshoi në nxitje në falsifikim të dokumenteve, për të cilën pikë u shpall fajtore edhe Arbenita Pajaziti.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Rajmonda Hyseni që të nënshkruajë dokumentet se kinse ajo ka marrë pjesë në vlerësimin e dy tenderëve emergjentë, e që sipas Prokurorisë në fakt ajo nuk kishte marrë pjesë fare në këtë vlerësim.
Arbenita Pajaziti për këtë vepër nga Gjykata Themelore u dënua me 6 muaj burgim me kusht. Ndërsa Ilir Tolaj për të njëjtën vepër u dënua me 10 muaj burg.
Tolaj më tutje u gjet fajtor nga Gjykata Themelore për shmangien nga tatimi, vepër penale e dënueshme deri në pesë vjet burg. Për këtë ai u dënua me 9 muaj burgim.
Ilir Tolajt, Gjykata i dha një dënim unik prej 18 muajsh burgim si dhe e dënoi me gjobë prej 1 mijë eurosh.
Tolajt iu ndalua ushtrimi i funksionit publik në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.
Arbenita Pajaziti është dënuar për pikën 1.6 të aktakuzës me 6 muaj burgim me kusht. Gjykata i shqiptoi asaj dënimin unik prej 8 muajsh me kusht duke mbikëqyrur dënimin për dy vjet, si dhe iu ndalua ushtrimi i funksionit publik në kohëzgjatje prej për 2 vjet.
Kjo pikë e aktakuzës e ngarkonte Pajazitin se ajo i kishte thënë komisionit për pranimin e mallrave që të nënshkruajnë një deklaratë të falsifikuar të pranimit të medikamenteve nga furnizuesit të cilët nuk kanë mundur ta furnizojnë MSh-në deri pas datës 21 dhjetor.
Hajrullah Fejza nga Gjykata Themelore u dënua dy herë nga 6 muaj burg për dy vepra të kërkimit të ryshfetit. Ai mori një dënim unik prej 8 muajsh burg si dhe iu ndalua ushtrimi i funksionit publik për 3 vjet. Fejza nga viti 2010 kryente detyrën e shefit të Divizionit për Shërbime Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë.
Fejza akuzohej nga prokuroria se në fillim të vitit 2011 i kishte kërkuar Milaim Avdullahut shumën prej 10 % nëse donte të merrte tenderin. Njëjtë Fejza kishte vepruar edhe me Fadil Lubeniqin.
Milaim Avdullahu dhe Fadil Lubeniqi, njëri pronar i kompanisë farmaceutike “Sante Pharm” dhe tjetri i asaj “Pro Pharm Helvetica” ishin palë të dëmtuara në rastin “Tolaj, Bukoshi dhe të tjerët”.
Ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë Bujar Bukoshi, ish-shefi i Departamentit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë Bekim Fusha, ish-drejtor i Prokurimit Zenel Kuqi dhe ish zyrtari i Prokurimit Ismet Hyseni, ishin shpallur të pafajshëm.
Pas ankesës së mbrojtjes të ushtruar në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit nxori aktvendim me anë të të cilit vendosi që rastin ta kthej në rigjykim.
Më pas Gjykata Supreme pas ankesës së mbrojtjes së Ilir Tolaj ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe atë të Apelit në atë mënyrë që ndaj Ilir Tolaj është refuzuar pika e aktakuzës për kryerjen e veprës penale shmangie nga tatimi. Po ashtu Gjykata Supreme e ka anuluar edhe dënimin në rastin e Hajrullah Fejzës, të cilin Gjykata Themelore e kishte dënuar me dënim unik prej 8 muajsh burg dhe ndalimi i ushtrimit të funksionit publik për 3 vjet, si dhe rastin e ka kthyer në rivendosje.
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...