Google ADS

Buja thotë se Qeveria bëri shumë gabime

10:22 | 10 Maj 2022
Fjolla Bajraktari

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Qeveria Kurti ka bërë shumë gabime, madje edhe i ka fshehur lëshimet e bëra.

Moslejimin e formimit të Komisionit Hetimor për energji, ai e konsideron si gabimin më të rëndë deri më tani.

“Opozita s’ka si ta vlerësojë pozitivisht Qeverisjen Kurti, për faktin shumë të ditur sepse në këtë vit të qeverisjes janë bërë shumë gabime, shumë lëshime dhe këtë nuk mund ta vlerësojmë pozitivisht askush. Besoj as ata që logjikshëm mendojnë edhe ata që i kanë dhënë votën sepse në fakt kanë ndodhur gabime. Nuk ka qeverisje të pagabueshme, por në fakt fshehja e tyre është tepër e rëndë”.

“Andaj edhe Komisionin për Hetim që donte ta bënte opozita nuk donte ta lejonin këtë gjë, kjo ishte diçka që fliste që diçka po fshihej. Kështu që kjo ishte ajo më e rënda që ndodhi deri më tani. Por, pas presionit që bëri opozita, një presion ndoshta jo bash logjik e bash përmbajtjesor e bash i kulturuar, por megjithatë ndodhi ajo që ndodhi e nga presioni u themelua edhe komisioni”.

Sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi, Buja konsideron se Qeveria duhet të mendohet mirë dhe ta marr seriozisht që të përshpejtohet ky proces.

Edhe pse sipas tij, nga ky proces Kosova nuk do të marrë 100% atë që dëshiron, por ai shton se duhet të marrim optimalen me një grup negociatorësh shumë të përgatitur.

“Për bisedime duhet pasur platformë Qeveria jonë. Meqë amerikanët po e quajnë këtë status-kohë si diçka që i shërben Rusisë, do të duhej të mendohet mirë dhe seriozisht ne që ta përshpejtojmë këtë proces dhe është shumë logjike diçka tek negociatat”.

“Nuk ke mundësi që të marrësh krejt 100% atë që dëshiron, por duhet të marrësh atë optimalen. Këtë e bën vetëm një Qeveri dhe një grup negociatorësh që është shumë i përgatitur”.

Buja po ashtu deklaroi se mungesa e ish-presidentit, Hashim Thaçi, është shumë e rëndë për të. Për këtë arsye ai nuk ka marr pjesë në asnjë manifestim apo kremtim si shenjë proteste.

Ai e konsideron se gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve në Hagë është pa përmbajtje, pa juridiksion dhe vetëm politikë.

“Mos më prekni në plagë sepse në fakt kjo është diçka që është shumë e rëndë për mua. Unë jo rastësisht nuk kam marr pjesë në asnjë manifestim prej se janë burgosur ata. Gjëja më e palogjikshme e mundshme, ata njerëz nuk kanë ikur, nuk ka pasur nevojë që të arrestohen, kanë shkuar vetë atje dhe ka qenë shumë logjike që ata të mbrohen në liri. Për dënimin nëse ata e shohin të arsyeshme e që nuk ka asnjë arsye dhe asnjë fakt për ta bërë dënimin atëherë kishin pasur mundësi ta bëjnë nga shtëpia”.

“Absolutisht, jo vetëm Bajramin po asnjë kremtim tjetër. Për arsye tepër të thjeshtë se më duket se është mungesë tepër e madhe e atyre që e bënë luftën, e bënë lirinë, e bënë pavarësinë dhe tani i kemi në një burg krejtësisht pa logjik, pa përmbajtje, pa juridiksion veç politikë”./EO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme