Google ADS

BSPK: Ngritja e çmimit të energjisë do të përkeqësojë situatën ekonomike

17:12 | 18 Janar 2022
Përparim Bublaku

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka reaguar pas paralajmërimeve për rritje të çmimeve të energjisë elektrike.

Në reagim thuhet se arsyet që janë dhënë për ngritjen e çmimit nuk mund të pranohen.

“Arsyetimi i KEDS-it se rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e ngritjes së çmimit të importit nuk mund të pranohet edhe po të jetë i saktë, dhe krejt kjo se popullata është shtrënguar plotësisht duke iu përkeqësuar gjendja ekonomike e sociale”.
“Edhe të punësuarit, të cilët për shkak të moscaktimit të pagës minimale, po edhe pjesa tjetër e popullatës e cila varet nga ndihmat sociale e edhe tjetra që nuk ka punë e as ndihma sociale do të gjenden në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale me këtë veprim të pa analizuar e të pamatur mirë”, thuhet në reagimin e BSPK-së.

Më tej, në këtë reagim, BSPK-ja thotë se i është drejtuar qeverisë se ka bërë veprim të ngutshëm me miratimin e këtij propozimit, ku sipas tyre, këtij propozimi është dashur t’i kushtohet kohë e analizë profesionale përpara miratimit.

“Besojmë se Qeveria është e vetëdijshme se miratimi i sotëm do të sjellë deri te përkeqësimi dhe rëndimi i mëtejshëm i situatës ekonomike e sociale të qytetarit”, thuhet në reagim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme