Google ADS

Brnabiq flet për mos ardhjen e Thaçit në konferencën e BERZH-it

18:10 | 8 Maj 2019
Arbresh.info

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq gjatë një takimi sot në Sarajevë me ndihmës sekretarin e Shtetit Matthew Palmer ka diskutuar mbi situatën aktuale në Kosovë, taksat dhe mundësitë për vazhdimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.

Ajo tha se dialogu në Bruksel do të vazhdojë vetëm pasi që Prishtina të heqë masën 100 për qind ndaj mallrave serbe, të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.

“Ne ende kemi pikëpamje të ndryshme rreth së ardhmes së dialogut dhe marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por është mirë të kemi biseda të tilla,” tha Brnabiq pas takimit me Palmer.

Brnabiq sot mori pjesë në Takimin Vjetor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Sarajevë.

Ajo gjithashtu komentoi për refuzimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të mos marrë pjesë në këtë takim.

“Unë nuk mund ta kuptoj këtë vendim. Nga këndvështrimi im, vendimi është i gabuar”, tha ajo.

Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të BeH-së në mandatin teknik, Denis Zvizdiq, shprehu sot më herët keqardhje për mos ardhjen e presidentit Thaçi në Sarajevë në konferencën e BERZH-it.

“Ne, si Këshill i Ministrave, kemi lëshuar vizat për të gjithë pjesëmarrësit e këtij samiti. Nuk i di të gjitha arsyet pse Thaçi nuk ka ardhur. Do të isha i lumtur të kemi edhe përfaqësuesit e Kosovës”, u tha gazetarëve Zvizdiq pas panelit për Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfundimisht ka hequr dorë nga pjesëmarrja në samitin e thirrur në Sarajevë, në kuadër të takimit vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ai falënderon BERZH-in për ftesën dhe trajtimin e barabartë të Kosovës në këtë takim, si dhe shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e tij.

Arsyeja e vetme që ka çuar te mospjesëmarrja e presidentit Thaçi në këtë takim të nivelit të lartë janë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë në nivelin më të ulët të mundshëm.

Përkundër vullnetit politik dhe gatishmërisë sonë shtetërore që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje Hercegovinën dhe njohje reciproke, fatkeqësisht deri më sot ky vullnet jo vetëm që nuk është pranuar, por shpeshherë edhe është keqpërdorur, thuhet në deklaratën për media të Presidencës së Kosovës.

Presidenti Thaçi përkujton se Bosnja ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe për fatin e keq të qytetarëve të të dyja vendeve ky shtet ende e mban në fuqi regjimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Është paradoksale një situatë e tillë, ku përkundër luftës së përgjakshme që ka ndodhur dhe pavarësisht që ende nuk kemi një marrëveshje për normalizim, lëvizja e lirë pa pasaporta dhe pa viza funksionon ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa në anën tjetër BeH vazhdon t’i diskriminojë qytetarët tanë me regjim të vizave”, tha ai.

“Ne nuk mund të kuptojmë sesi Bosnje Hercegovina aplikon dhe sillet në këtë mënyrë tërësisht antievropiane dhe më të vrazhdë se vetë Serbia. Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush”, përfundon deklarata.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme