Google ADS

Britania mbështet fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë

18:41 | 3 Korrik 2018
M. A.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, deklaroi sot se përmes mbështetjes së Britanisë së Madhe do të fuqizojnë sundimin e ligjit dhe llogaridhënien brenda sistemit, si prioriteteve kyçe për zhvillim të mëtutjeshëm dhe integrim evropian.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike të Zyrës së Jashtme të Britanisë së Madhe, Richard Moore, kryesuesen e Zyrës përgjegjëse për Kosovën në Zyrën e Jashtme, Catherine Barnes, si dhe ambasadorin britanik, Ruairi O’Connell.

Së bashku me të pranishmit, ministri i Drejtësisë ka diskutuar mbi gjendjen në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë bashkëpunimin e ndërsjellë në reformën gjyqësore, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tahiri ka shprehur vendosmërinë në arritjen e rezultateve konkrete në drejtim të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe fuqizimit të sistemit gjyqësor.

“Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, apo inicimit të diskutimeve përmes platformës së Rishikimit Funksional, synojmë arritjen e sundimit të ligjit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës dhe ngritjen në efikasitet dhe llogaridhënie të këtij sistemi”, tha ai.

Ndërsa, Moore shprehu përkushtimin e Britanisë së Madhe ndaj fuqizimit të sundimit të ligjit në Kosovë.

“Kam diskutuar bashkëpunimin bilateral me ministrin Tahiri dhe kam shprehur vendosmërinë tonë që të mbështesim më tutje reformat e nevojshme” ka theksuar ai pas takimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme