Institucionet e Kosovës janë të ekspozuara ndaj sulmeve potenciale kibernetike, të cilat mund të dëmtojnë mbarëvajtjen e përgjithshme të shtetit, thonë ekspertë të sigurisë kibernetike.
Autoritetet përgjegjëse duhet t’i ngrenë kapacitetet për mbrojtje nga sulme të tilla, theksojnë ata.
Më 6 shtator, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se disa ueb-faqe të institucioneve të shtetit kanë qenë cak i një sulmi kibernetik, por nuk ka specifikuar cilat.
Sulmi, megjithatë, nuk ka arritur të depërtojë brenda infrastrukturës së rrjetit kompjuterik shtetëror, pasi që, siç është thënë, “është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë”.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se sulmi ka ardhur nga jashtë Kosovës, por nuk ka dhënë detaje se prej cilit vend.
Sulmi kibernetik nënkupton përpjekjet e hakëreve për të fituar qasje të paligjshme në një kompjuter ose sistem kompjuterik, me qëllim të shkaktimit të dëmit.
Sulmi i tillë mund ta bëjë rrjetin kompjuterik të paqasshëm dhe, në këtë mënyrë, bllokon punën e institucioneve, korporatave apo bizneseve.
Me gjithë përpjekjet, REL nuk ka arritur të bjerë në kontakt me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, për të marrë më shumë informacion rreth sulmit të fundit kibernetik, mënyrës se si është ndalur dhe kapaciteteve që ka Kosova për luftimin e sulmeve të tilla.
Butrint Komoni, drejtor i kompanisë private, VOID-International, e cila merret me çështje të sigurisë kibernetike në Kosovë dhe më gjerë, thotë se është angazhuar nga autoritetet e Kosovës për të ndihmuar në hetimin e këtij sulmi.
Ai thotë se nuk mund të japë detaje për këtë proces hetimesh, por vetëm konfirmon se sulmi nuk ka arritur të depërtojë brenda sistemit kompjuterik.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Komoni thotë se pasojat e sulmeve kibernetike, në përgjithësi, mund të jenë enorme.
“… duke ndikuar në mosfunksionimin e shtetit, marrjen e informacioneve, përgjimin e informacioneve. Mund të shkaktojnë edhe shkatërrim komplet të infrastrukturës”, thotë ai.
Komoni shton se bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore dhe kompanive private është i domosdoshëm, për të menaxhuar dhe parandaluar sulmet kibernetike.
“…sepse institucionet shtetërore nuk mund të ecin në hap me gjërat më të reja, nuk i lejon burokracia, nuk i lejon të jenë inovativë, sikurse kompanitë private”, thotë ai.
Mentor Hoxhaj, drejtues i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë, thotë se vendi nuk ka kapacitete të mjaftueshme për trajtimin e sulmeve kibernetike.
“Qeveria do të duhej t’i forconte kapacitetet njerëzore dhe teknike dhe ato kapacitete të testohen. Ne, deri më tani, nuk i kemi testuar sistemet tona. Asnjëherë nuk është organizuar ndonjë sulm i simuluar, apo mënyra e mbrojtjes ndaj atij sulmi”, thotë Hoxhaj për Radion Evropa e Lirë.
Si hap pozitiv për trajtimin e sulmeve kibernetike, Driart Elshani, ekspert i sigurisë kibernetike, përmend “identifikimin e infrastrukturës kritike” nga ana e institucioneve të Kosovës.
“Infrastruktura kritike” është jetike për funksionimin e shtetit. Aty bëjnë pjesë institucione të tilla si Banka Qendrore apo agjencitë qeveritare.
Por, cilat janë motivet e sulmeve kibernetike?
Hoxhaj thotë se janë dy: financiare – mbi 90 për qind – dhe të sponsorizuara nga shtetet. Këto të fundit, sipas tij, kanë për qëllim marrjen e informatave kritike.
Kosova ka qenë cak i sulmeve kibernetike edhe më herët. Në fund të vitit 2018, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë se janë përballur me sulme të tilla. Sipas raportimeve të disa mediave në Kosovë, Ministria e Brendshme ka qenë cak i sulmeve të tilla edhe në shkurt të këtij viti.
Në muajin korrik, cak i sulmeve kibernetike ka qenë edhe Shqipëria, e cila ka pësuar bllokadë totale të ueb-faqeve qeveritare.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 7 shtator se përgjegjës për këtë sulm është Republika Islamike e Iranit.
Për pasojë, Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin.
Në fund të gushtit, Qeveria në Mal të Zi ka njoftuar, po ashtu, se ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike. Dyshime për përgjegjësi janë hedhur mbi Rusinë dhe Kubën. Për të hetuar këtë sulm, një ekip i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) ka shkuar tashmë në Mal të Zi.
Ekspertët thonë se nuk janë vetëm qeveritë që duhet të jenë të vetëdijshme për rreziqet e sigurisë kibernetike. Sipas tyre, vetëdija duhet të rritet edhe te bizneset dhe veçanërisht te sektori i shëndetësisë.
Diskutimet në qarqet ndërkombëtare për këtë temë janë intensifikuar edhe më shumë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, i cili është përshkuar edhe me sulme të sofistikuara kibernetike. /REL/
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor
LDK thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja