Google ADS

“Brezovica 1”, i akuzuari dënohet me 15 mijë euro, pranoi fajësinë se nisi të ndërtojë një objekt kundërligjshëm

16:45 | 15 Shkurt 2024
R J

I akuzuari në rastin “Brezovica 1”, Fatmir Grainca është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Granica akuzohet se në kundërshtim me ligjin kishte filluar ndërtimin e objektit afër lumit në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë.

Gjykatësi i kësaj çështje Ilir Bytyqi ka njoftuar se i akuzuari Fatmir Grainca me avokatin mbrojtës, Arsim Bilalli, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, i akuzuari Fatmir Grainca është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve dhe 10 mijë euro gjobë, i cili dënim me burg me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

Gjithashtu sipas këtij aktgjykimit, i akuzuari Grainca është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë euro.

Paraprakisht, seanca në këtë rast ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit në cilësi të dëshmitarit, Qazim Sinani, i cili është propozuar që të dëshmojë në lidhje me objektet-ndërtimet apo vikend shtëpizat e të pandehurve të cilët tashmë veçse kanë pranuar fajësinë sipas marrëveshjes me prokurorinë e të cilat kjo gjykatë i ka aprovuar.

Eksperti Sinani tha se ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve për përpilimin e raportit nga ekspertët e Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

“Po, ne kemi ba matjen e pikave të këtyre objekteve, të cilat pika i kemi fut në sistemin kadastral dhe këto pika i kemi krahasuar me kufirin e parcelës afër lumit”, tha eksperti Sinani.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe eksperti Ardian Kryeziu, i cili ka munguar në këtë seancë ndërsa në bazë të fletëkthesës rezulton se është adresë e panjohur.

Në lidhje me ekspertin Kryeziu, prokurori Maloku deklaroi se tërhiqet nga propozimi për dëgjimin e tij në cilësi të dëshmitarit, pasi që dëshmia e tij u referohet të akuzuarve të cilët e kanë pranuar fajësinë, andaj dëshmia e tij tashmë nuk është relevante për çështjen.

Ndryshe, më 06 shkurt 2024, i akuzuari Rijad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuar Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

Më 5 shkurt, I akuzuari në rastin “Brezovica 1”, Gentjan Sula është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”. https://betimiperdrejtesi.com/brezovica-1-deklarohet-i-pafajshem-i-akuzuari-per-ndotje-degradim-dhe-shkaterrim-te-mjedisit/

Në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci.

Të akuzuar në këtë aktakuzë të rastit “Brezovica1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

Fatmir Grainca akuzohet nga Prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme