Brenda Spitalit Ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës

08:50 | 3 Janar 2021
L G

Spitali ushtarak i FKS-së ka në dispozicion vetëm 60 shtretër për pacientë, por ka kapacitet të ofrojë shërbime nga lëmia e Kardiologjisë, Pulmologjisë, Otorinolaringologjisë, Oftalmonologjisë, Gjinekologjisë, Stomatologjisë dhe Shërbimin e Psikiatrisë.

Qendra e mjekësisë së forcës e ngritur për shërbim të pjesëtarëve të FSK-së është e gatshme të pranojë edhe pacientë të prekur nga COVID-19.

Aktualisht në këtë spital nuk është i shtrirë asnjë pacient, por që nga fillimi i pandemisë, kur edhe nisi funksionimin si spital, janë trajtuar tetë pjesëtarë të FSK-së në Klinikën Infektive.

Drejtori i Përgjithshëm i Poliklinikës së FSK-së Dr. Shkelzen Sylaj, në një intervistë për portalin arbresh.info tregon për kapacitetet që ofron spitali i FSK-së.

E me të hyrë në qendrën spitalore, është kjo salla e emergjencës që bën pranimin dhe trajtimin fillestar të pjesëtarëve të FSK-së.

“Këtu bëhet mjekimi i plagëve të lehta, kryesisht shërbime doracake të pjesëtarëve të FSK-së”, ka thënë Sylaj.

Në një dhomë me dy ose tre shtretër, me tualete brenda, spitali ushtarak plotëson kushtet e nevojshme për trajtimin e 60 pacientëve të ndara në tri reparte.

Duke filluar nga marrja e gjakut që bëhet në këtë sallë, e që aktualisht po përdoret për marrjen e vaksinës për grip sezonal, këtu bëhen edhe testet në laborator.

Në këtë laborator janë kryer mbi 4500 teste jo vetëm për pjesëtarë të FSK-së, por edhe të qendrave të tjera si të Policisë së Kosovës.

”Janë testuar afër 700 pjesëtarë të Policisë po ashtu kemi bërë teste edhe për Kryqin e Kuq e edhe disa institucione tjera. Janë bërë deri në 200 teste në ditë”, është shprehur Sylaj.

Pjesëtarët e FSK-së mund të kryejnë edhe shërbime të mjekësisë sportive.

Po ashtu ushtarët marrin edhe shërbime stomatologjike, shërbime të cilat janë obligative.

Kjo qendër ka qenë e gatshme për përdorim nga mesi i vitit të kaluar, por ka filluar të funksionojë nga momenti i shfaqjes së pandemisë.

“Numri i personelit është 80” ka thënë mes tjerash Sylaj.

E sa i përket gjendjes me Covid-19 brenda FSK-së, nga 600 teste të bëra, kanë rezultuar pozitiv 200 pjesëtarë të FSK-së.

“Nga fillimi i epidemisë kanë qenë 8 pjesëtarë të shtrirë në klinikën infektive, ndërsa të tjerët janë trajtuar në ambiente shtëpiake. Kemi pas në izolim 1200 pjesëtarë”, shprehet ai.

E Major Adem Preteni, Komandat i Regjimentit të Mjekësisë tregon se si funksionojnë Ekipet Mobile të FSK-së.

“Janë mjekët dhe infermierët të ekipeve mobile që ofrojnë shërbime nëpër kazerma të tjera të FSK-së. Nuk bën kontrolle specialistike, por bën kontrolla fushore”, ka deklaruar Preteni.

Të gjithë pjesëtarët e FSK-së që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, i janë kthyer punës dhe janë të gatshëm për shërbim./arbresh.info/Mira Avdimetaj/

 

Të ngjashme