Brenda Podujevës së “izoluar”

08:28 | 18 Mars 2020
Arbresh.info

Për dallim nga një javë më parë, sot qytetin e Podujevës e ka kapluar heshtja.

Mesdita kur zakonisht qyteti mbulohet nga nxënës e qytetarë, këtë mes javë duket tërësisht ndryshe.

E si pothuajse asnjëherë tjetër të vetmet që dëgjoheshin ishin rrjedha e lumit Llap, kombinuar me cicërimet e zogjve.

Mungonin edhe kolonat e veturave që formoheshin gjatë ditës e veçanërisht në këtë kohë në rrugën kryesore dhe ato alternative të qytetit llapjan.

Duket se në qytetin me lum të vetmit që kishin vazhduar punën pa u ndikuar ishin semaforët e lëshuar për qarkullim javë më parë.

Gjithë rutina e llapjanëve ndryshoi në momentin kur u bë publike rasti i parë pozitiv me COVID-19 në këtë qytet.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës përmes së cilit do të mbylleshin të gjitha dyqanet, kafiteritë dhe restaurantet po gjen zbatim pothuajse të qind për qind. Të vetmet që mund të gjesh hapur në qendër dhe në periferi janë dyqanet ushqimore, furrat dhe barnatoret.

Zbatim të njëjtë po gjen edhe rekomandimi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për dalje sa më të pakta dhe eliminim të kontakteve fizike.

Gjatë qëndrimit tonë në këtë qytet, numri i qytetarëve që takuam rrugës ishte shumë i vogël. Të gjitha kishin dalë nga ‘halli’, për të kryer blerje në furra ose barnatore.

“Me maskë dhe dorëza ashtu siç edhe na është kërkuar po shkoj tek furra më e afërt të blej bukë dhe do të kthehem menjëherë në shtëpi. Rekomandimet për mos dalje janë për të mirën tonë dhe sa po shohë po respektohen plotësisht”, tha një qytetar për arbresh.info.

Pak më i madh se numri i këmbësorëve ishte i atyre me vetura, destinacioni i tyre pothuajse në të gjitha rastet ishin mullinjtë e miellit.

arbresh.info ka qëndruar edhe në njërin nga këta mullinj në fshatin Sekiraqë të kësaj komune, jashtë të cilës ishin krijuar kolona të gjata.

Por, përparësi për furnizim kishin ata që kanë grurë në këtë mulli.

Kështu ka thënë një qytetar që po priste.

“Pritja ishte edhe më e gjatë, por shumica shkuan pasi u njoftuan se përparësi për marrje të miellit kanë ata që gjatë verës kanë dërguar grurë në këtë mulli. Ne fillimisht kemi marrë numrat dhe tani po presim, sot është numër më i vogël i qytetarëve që po presin sepse ditëve tjera ishte plotë sidomos mbrëmjeve dhe mëngjeseve”, ka thënë ky qytetar për arbresh.info.

Kujtojmë që deri pasditen e së premtes Kosova ishte shteti i vetëm që rajon që nuk ishte prekur me coronavirus. E po atë ditë nga dhjetëra të dyshuar, dy kishin dalë pozitiv me COVID-19.

Përmes njoftimit u kërkua që të mbahej distanca mes personave, të reduktohen daljet veç në raste emergjente dhe të ndiqen rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Dy ditë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 11-të me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka marrë vendim që të shpallë emergjencë të shëndetit publik. /arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme