Brenda “Parajsës së frutave” në Zajqec të Kamenicës

13:02 | 29 Tetor 2023
E.H

I mbolli 34 mijë fidanë në 12 hektarë tokë, në fshatin Zajqec të Kamenicës.

Mollë, dardhë dhe qershi i kanë dhënë frytet e punës një vjeçare të fermerit, Naim Huruglica.

Ai për Arbresh.info thotë se kjo pemishte ka kapacitet për prodhimin e 700 mijë kilogramë frutave.

“Në tersi janë të mbjellura diku 34 mijë fidanë, mbizotëron molla, janë diku nëntë hektar me mollë, dy hektarë me dardhë dhe një hektarë me qershi, por në totalë janë diku 34 mijë. Është një aktivitet ekonomik i bazuar në praktikat moderne gjermane, është një mbjellje e pemishtes intensive. Investimet këtu janë dy e treta kosovare ndërsa një e treta gjermane. Përndryshe kjo pemishte ka një kapacitet deri në 700 ton prodhim pra 700 mijë kilogramë fruta”, thotë ai.

Huruglica thotë se shitja më e madhe e pemëve bëhet në Kosovë, duke mos përjashtuar vendet e rajonit dhe perëndimin.

“Shitja më e madhe bëhet në Kosovë, gjithashtu kemi bërë eksporte edhe në perëndim por edhe në rajone, varësisht prej vitit dhe sasisë dhe kualitetit të prodhimit. Kushtet klimatike kanë rol jashtëzakonisht shumë, në këtë vit kemi pasur një ndër vitet më të dobëta prej se kemi hyrë në këtë industri në këtë vit të tetë që jemi në këtë sektorë”, pohon Huruglica.

Vjeljen e 700 mijë kilogramë frutash, Hurgalica thotë se e bëjnë më dorë.

“Ne tash kemi filluar me vjeljen e tyre, jemi pothuajse gati në përfundim. Vjelja ka filluar gati që një muaj. Ne i trajnojmë punëtoret tanë se si të bëhet vjelja e pemëve. Këtu vjelja bëhet me dorë, por edhe askush nuk ka sjellë ndonjë makineri për vjelje automatike, edhe pse tash flitet që kanë filluar edhe të prodhohen edhe robotët e parë që mund të vjelin, por tash e gjithë vjelja bëhet me dorë nga njerëzit”, tregon fermeri.

Huruglica thekson se me frutat që janë të klasë së parë, i shesin për molla tryeze, kurse ato që janë të kualitetit më të dobët të cilat përdoren për prodhimin e lëngjeve të ndryshme.

Sipas tij, subvencionet nga Ministria e Bujqësisë nuk janë edhe aq të mjaftueshme, sepse këto subvencione sipas tij, mbulojnë jo më shumë se 10 për qind të vlerës që ka ky plantacion.

Tutje, ai thotë se kjo punë nuk është edhe aq profitabile, për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Kjo nuk është edhe aq punë profitabile. Në tri ose katër vitet e fundit kemi shumë ndryshime klimatike ose ka nxehtë shumë të madh ose ka mungesë të reshjeve ose të ftohët shumë të madh”, shprehet Huruglica.

Cilësia dhe kultivimi me mjaft kujdes me një lartësi mbidetare rreth një mijë metra, i kanë dhënë ngjyra fshatit Zajqec të Komunës së Kamenicës.

E veçantë e këtij plantacioni është ajo se gjendet 100 metra në vijë kufitare me shtetin serb./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Të ngjashme