Vjedhjet nëpër pronat e qytetarëve, qofshin ato në shtëpi banimi, dyqane apo vetura, përveç anës kriminale të cenimit të pronës, po cenojnë seriozisht edhe sigurinë e tyre.
Në raportet e përditshme të Policisë së Kosovës, jo rrallëherë raportohen raste të vjedhjeve.
Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2018, në nivel vendi janë raportuar mbi 800 raste të vjedhjeve të gjësendeve të ndryshme, bëjnë të ditur zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovë, Daut Hoxha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se rastet e vjedhjeve trajtohen konform kodit dhe procedurës penale të Kosovës, kompletohen nga hetuesit kompetentë dhe u përcillen organeve të drejtësisë për vendime të mëtejme.
Sipas të dhënave të Policisë, Hoxha tha se numri i vjedhjeve përgjatë viteve, megjithatë ka shënuar rënie.
“Bazuar në statistikat që dalin nga raporti vjetor i Policisë së Kosovës për vitet 2016/2017, lidhur me rastet e vjedhjeve, rezulton për një shkallë në rënie të rasteve të tilla. Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie nga 6105 në vitin 2016 në 5735 në vitin 2017. Po ashtu, numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie, nga 5601 në 5222 raste. Ndërsa, sa u përket të dhënave për dy muajt e parë të vitit 2018, në nivel vendi janë raportuar mbi 800 raste të vjedhjeve të gjësendeve të ndryshme”, bënë të ditur Hoxha.
Por, pavarësisht shifrave dhe statistikave policore, ekspertët e fushës së sigurisë mendojnë se rastet e vjedhjeve nëpër pronat e qytetarëve, nuk po trajtohet aq sa duhet nga institucionet kompetente.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami tha për Radion Evropa e Lirë se fenomeni i vjedhjeve është bërë i rrezikshëm në Kosovë, pasi ka raste që po përfundojnë edhe me vrasje.
“Vjedhjet, një fenomen i cili në Kosovë nuk po trajtohet aq sa duhet e që në fakt është mjaft i rrezikshëm, për shkak se në momentin kur ndodhin vjedhjet e lehta apo të rënda te një numër jo i vogël i rasteve për pasojë e kanë pasur edhe vdekjen e qytetarëve”, tha Islami.
Mungesa e sigurisë publike ka arritur në nivel shqetësues, shton Islami. Sipas tij, qytetarët nuk ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre për shkak të këtij fenomeni.
“Duhet urgjentisht që institucionet e Kosovës, mekanizmat e sigurisë të bëjnë një plan afatmesëm dhe afatgjatë, të bëjnë një strategji të veçantë në mënyrë që të ulet numri i vjedhjeve dhe të mos kemi më raste të vdekjeve me fatalitet si pasojë e këtyre rasteve. Si pasojë e këtyre vjedhjeve po rrezikohet familja, po rrezikohet shoqëria”, theksoi ai.
Sa i përket rolit të policisë në parandalimin, por edhe arrestimin e personave e grupeve të përfshira në këto krime, zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha bën të ditur se përveç zyrtarëve të rregullt patrullues, kanë edhe njësitet e hetimeve të cilat merren me trajtimin, respektivisht hetimin e rasteve te vjedhjeve.
Ai thotë se për një ambient më të sigurt duhet që bashkëpunimi reciprok të jetë më i madh, të ketë shkëmbim të informacioneve, raportim të drejtë dhe me kohë të rasteve dhe informatave.
“Policia e Kosovës me njësitet e saj vazhdimisht ka punuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore apo edhe përmes fushatave të ndryshme vetëdijësimi me qëllim të parandalimit”, shton Hoxha.
Nga detyrat dhe autorizimet e përgjithshme të Policisë që dalin nga Ligji për policinë janë edhe mbrojtja e pronës dhe ofrimi i sigurisë së përgjithshme.
Sipas Kodit Penal të Republikës se Kosovës, vjedhje klasifikohet vepra kur një personi tjetër i merret pasuria, e cila vlerësohet në shumën prej pesëdhjetë eurosh e më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër.
Personat që kryejnë vjedhje apo grabitje me përdorim të forcës apo kanosje serioze për personin tjetër, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, dënohen me burgim nga 3 deri në 12 vjet.
Qytetet evropiane që janë magjike për Krishtlindje
Sfida e “Supermenit” në TikTok, Komuna e Lipjanit iu bën thi...
Vdes një 80-vjeçar si pasojë e zjarrit në një banesë në Shko...
Pesë mënyra natyrale për të luftuar infeksionet e traktit ur...
Të lindurit nën këto tre shenja të zodiakut adhurohen nga të...
“100% ka me dalë nga shtëpia”, për cilin banorë e ka fjalën ...