Brenda ditësh në Kosovë edhe doza e tretë

12:10 | 11 Nëntor 2021
L G

Vendimi për dozën e tretë dhe dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit pritet të merret shumë shpejt edhe në Kosovë.

“Është çështje ditësh marrja e vendimit, pasi Komiteti për imunizimin e popullatës kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi] e ka trajtuar çështjen e dhënies së dozës përforcuese dhe dozës së tretë”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë qysh në muajin shtator që të nisë me dhënien e dozave të treta.

Dozat e tilla kanë nisur të jepen në shumë vende të botës, pas rekomandimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe rregullatorë të tjerë shëndetësorë.

Dozë përforcuese është ajo që i jepet një personi plotësisht të vaksinuar, për t’i ndihmuar në përforcimin e mbrojtjes që mund t’i ketë rënë me kalimin e kohës.

Dozë e tretë konsiderohet ajo që i jepet dikujt që nuk ka krijuar përgjigje të fuqishme imunitare nga seritë e para të vaksinimit.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit dhe deri më 10 nëntor më shumë se 745,000 qytetarë – apo mbi 41 për qind e popullatës së përgjithshme – i kanë marrë nga dy doza të vaksinës.

Vaksinat që jepen në Kosovë janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Ahmeti: Doza e tretë për të parandaluar situata të rënda epidemiologjike

Profesori në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Sali Ahmeti, thotë se Kosova, që të jetë e përgatitur për ndonjë valë më të ashpër të pandemisë COVID-19, duhet të vendosë për administrimin e dozës së tretë të vaksinës.

Sipas tij, gjashtë muaj pas dozës së dytë të vaksinës, imuniteti fillon të ulet nën vlerat mbrojtëse.

“Ne kemi filluar me vonesë vaksinimin, në raport me vendet tjera. Vaksinimi masiv ka filluar nga qershori dhe [të vaksinuarit] kanë ende imunitet mbrojtës, solid, por gjashtë muaj pas dozës së dytë, unë preferoj të merret edhe doza e tretë, si në vendet e tjera”, thotë Ahmeti.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë konfirmuan të mërkurën se kanë identifikuar variantin Delta Plus të koronavirusit në 12 mostra.

Ky variant, i identifikuar nga shkencëtarët britanikë në muajin shtator, është duke u monitoruar nga shkencëtarët për të parë nëse është më ngjitës ose më vdekjeprurës se variantet e tjera.

Doza e tretë e vaksinës ka nisur tashmë të ofrohet në disa vende të Ballkanit Perëndimor – në mesin e tyre edhe në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Serbi.

Për dallim prej Kosovës, vendet e rajonit po përballen me situatë më të rëndë epidemiologjike.

Për krahasim, shkalla e pozitivitetit të rasteve në Kosovë aktualisht është nën 1 për qind, ndërsa në Mal të Zi është rreth 20 për qind.

Në Evropë, Gjermania, Republika Çeke, Bullgaria, Rumania dhe vende të tjera kanë raportuar këtë javë shifra rekorde të të infektuarve.

Nuk ka vend për relaksim

Infektologu Sali Ahmeti thotë se situata aktuale në Kosovë nuk duhet të merret si relaksim.

“Këtë situatë duhet ta shfrytëzojmë për mundësitë e ballafaqimit me skenarë më të ashpër. Një ndër këto ballafaqime është edhe aplikimi i dozës së tretë të vaksinës. Situata epidemiologjike në rajon dhe në vendet e tjera të BE-së e dikton mundësinë e shtimit të numrit të rasteve në javët e ardhshme, nëse ne tregohemi të pakujdesshëm”, thotë Ahmeti.

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, thotë se situata në Kosovë është stabile, por shton se duhet pasur kujdes për të parandaluar shtimin e rasteve të reja.

“Duke u nisur nga kjo situatë në vendet e rajonit, duhet respektuar masat dhe duhet përgjigjur vaksinimit masiv, si arma më e mirë dhe e sigurt në luftimin e COVID-19”, thotë Vishaj.

Masat që janë në fuqi në Kosovë, përfshijnë mbajtjen e maskës në ambiente të hapura dhe të mbyllura publike, si dhe dëshminë e vaksinimit apo të testit negativ për hyrje në qendra tregtare, restorante, bare dhe vende të tjera publike.

Më 10 nëntor në Kosovë kanë qenë 444 raste aktive me koronavirus.

Të martën, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka marrë vendim për vaksinimin edhe të shtetasve të huaj që ndodhen në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme