Muaji tetor në gjithë botën, por edhe në Kosovë ndryshe njihet edhe si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Vetëm në nëntë mujorin e parë të këtij viti 332 gra dhe 4 burra janë diagnostikuar me kancer të gjirit në Kosovë.
Kështu thotë për Arbresh.info, drejtori i klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, (QKUK), Ilir Kurteshi.
Sipas tij, numri i të prekurve me kancer të gjirit këtë vit është rritur 10 për qind më shumë se vitin 2022.
“Këtë vit janë diagnostikuar me kancer të gjirit në Kosovë 332 gra dhe 4 burra. Numri i të prekurve me kancer është rritur 10 për qind më shumë se në vitin 2022”, thotë Kurteshi.
Megjithatë, sipas tij, interesimi i grave për realizimin e mamografisë është rritur dukshëm më shumë se vitin e kaluar.
Rritet interesimi për mamografi
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se 366 mamografi në kryeqytet për 10 ditët e para të tetorit
“Për 5 ditët e para të tetorit, nga e hëna deri të premten 166 mamografi. 366 mamografi për 10 ditë të tetorit. Ky është rekord i mamografive të realizuara në kryeqytet”, ka njoftuar Sadiku përmes një postimi në Facebook.
E mposhta kancerin
50-vjeçarja E.M ishte diagnostikuar me sëmundjen e kacerit të gjirit rreth 5 vjet më parë.
Ajo për portalin Arbresh.info, thotë se sapo e kuptoi që ka kancer në gji i është nënshtruar operacionit, ku arriti ta mposht sëmundjen dhe sot gëzon shëndet të plotë.
Gjithashtu, ajo u ka bërë apel të gjitha grave që ta zbulojnë më herët këtë sëmundje, në mënyrë që të shpëtojnë jetën e tyre.
“E mposhta kancerin. Ja ku jam sot. U bëj thirrje të gjitha vajzave dhe grave që të mos e anashkalojnë dhe të zbulojnë herët sëmundjen”, u shpreh ajo.
Ndryshe, vitin e kaluar, në Kosovë janë diagnostikuar 547 persona të prekur nga kanceri i gjirit, prej tyre 543 femra dhe 4 meshkuj.
Çfarë sëmundje është kanceri i gjirit?
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), thotë se më shumë se 2500 burra diagnostikohen me kancer të gjirit çdo vit.
Sipas kësaj organizate simptoma më e zakonshme është një gungë pa dhimbje në gji. Disa simptoma tjera të kancerit të gjirit janë ndryshimet në madhësinë, formën ose pamjen e gjirit, ndryshimet e lëkurës (si zbehje, skuqje ose gropë), shkarkimi i thithave dhe ndryshimi në pamjen e thithave.
Sipas OBSH-së gjëja më e rëndësishme që mund të bëni nëse gjeni një gungë është të kërkoni ndihmë mjekësore, pasi që sa më herët të kapni kancerin e gjirit aq më i suksesshëm mund të jetë trajtimi juaj.
Përveç kësaj sipas kësaj organizate kanceri i gjirit mund të shfaqet në mënyra të ndryshme, pasi kanceri ndonjëherë paraqitet në pjesë të tjera të trupit dhe mund të ketë disa simptoma të ndryshme si, plagët e hapura në lëkurë, nyjet limfatike të fryra (nën krahët tuaj), dhimbje kockash dhe dhimbje koke.
Për të zvogëluar rrezikun nga kanceri i gjirit OBSH tregon disa gjëra që mund t’i bëni, fillimisht duhet të ushtroni rregullisht, të mbani një peshë të shëndetshme, të ulni përdorimin e alkoolit dhe të shmangni duhanin. /Arbresh.info /Ejona Hyseni/
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...
Ligje të rëndësishme rrezikojnë të kthehen në pikën zero
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin