Google ADS

Braktisja e shkollimit nga nxënësit, sociologia Prokshi: Ndikon situata socio-ekonomike

11:01 | 21 Janar 2024
E.H

Fenomeni i braktisjes së shkollave nga nxënësit e Kosovës është në rritje.

Mbi një mijë nxënës e kanë braktisur shkollimin e mesëm gjatë vitit akademik 2023/2024.

Prej tyre 78.8% të gjinisë mashkullore, ndërsa 21.2% të gjinise fëmërore, shkruan Arbresh.info.
Arbresh.info ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me ç’rast ka pranuar statistikat zyrtare të braktisjes së shkollimit gjatë tri viteve të fundit të cilat mund t’i gjeni në vazhdim.

Sociologia Dhurata Prokshi në një intervistë për Arbresh.info tha se ky fenomen është shqetësues, me ç’rast një pjesë të fajit për këtë ia la edhe sistemit arsimor në Kosovë.

“Fakti që shpërndarja apo shtrirja e këtij fenomeni ka filluar të jetë prezente në masë të madhe tek shkollat e mesme, kjo tregon për një mungesë të organizimit të sistemit arsimor në Kosovë, që t’i mbajë brenda vetes nxënësit, ta organzojë në mënyrë më të mirë aspektin jo vetëm arsimor, por edhe edukativ të tyre”, u shpreh ajo.

Mirëpo, sipas Prokshit ekzistojnë disa faktorë që i çojnë nxënësit deri tek braktisja e shkollave, duke përfshirë këtu edhe kushtet ekonomike.

“Një element tjetër që i ka ndiku braktisjes së arsimit nga të rinjtë është natyrisht edhe situata ekonomike, për shkak se moshat e shkollave të mesme preferojnë që të bashkangjiten në tregun e punës, duke bo punë që janë të karakterit jo-formal, apo të hyjnë në ekonominë e zezë, nuk janë të raportuara, bëjnë punë për të fituar ndonjë para të lehtë e të shpejtë”, potencoi ajo.

E një tjetër arsye konsiderohet të jetë edhe fakti që disa nxënës zgjedhin të mësojnë “zanatin”.

“Rastet nga ata që e braktisin shkollimin janë për arsye të ndryshme, disa mund të jenë për arsye që fëmijët e kësaj moshe janë të orientuar ta ndjekin ndonjë zanat i cili i largon nga shkolla dhe planifikojnë që të ardhmen ta shohin në atë veprimtari”, deklaroi Prokshi për Arbresh.info.

Në mesin e arsyeve, sociologia e lartëpërmendur renditi edhe problemet familjare, e poashtu migrimin.

Në anën tjetër, ajo tha se për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi edhe vetë shkollat, duke përfshirë edhe mësimdhënësit.

“Edhe shkollat e kanë një përgjegjësi dhe një faj në këtë rast, sepse roli i tyre është që të jenë më transparent, më bashkëpunues me të gjitha instancat, duke filluar me fëmiun që e kanë brenda shkollës, pastaj me prindërit, por edhe me organizatat dhe institucionet e tjera këshilldhënëse”, theksoi Prokshi.

Mes tjerash, ajo tha se mosha në të cilën ndodh braktisja e mësimit nga nxënësit konsiderohet të jetë e ndjeshme, me ç’rast të rinjtë ballafaqohen edhe me probleme të tjera./Arbresh.info/Rreze Sylhasi./

Storien e plotë mund ta ndiqni këtu:

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme