Google ADS

BQK miraton manualin mbikëqyrës për parandalimin të pastrimit të parave

16:40 | 25 Mars 2024
E.G

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 22 mars 2024, miratoi Manualin e Mbikëqyrjes të Bazuar në Rrezik për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (PPP/LFT).

Sipas komunikatës, qëllimi i këtij Manuali është ngritja e kapaciteteve mbikëqyrëse drejt qasjes së bazuar në rrezik e cila mundëson identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve që lidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit si dhe përshtatjen e strategjisë mbikëqyrëse në përputhje me rrezikun e paraqitur, shkruan Arbresh.info.

“Me hartimin e këtij kuadri të mbikëqyrjes, qasja e bazuar në rrezik integrohet në të gjitha elementet e konceptit të programit të mbikëqyrjes së institucioneve financiare për pajtueshmërinë me parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit njëkohësish na mundëson që të demonstrojmë që mbikëqyrja e pajtueshmërisë me PPP/LFT realizohet duke u mbështetur në praktikat më të mira si dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të FATF (Financial Action Task Force).”, thuhet në njoftim.

“Ky Manual është përgatitur me asistencën teknike nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik (PECK III). Prandaj, me këtë rast BQK-ja falënderon Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.”, bën të ditur njoftimi.

“BQK mbetet e përkushtuar për të avancuar kornizën ligjore dhe rregullative duke zbatuar standardet me të larta, me mbështetjen e partnereve strategjik, në pajtim me objektivat e saj dhe Planin Strategjik 2024-2028.”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Arbresh.info/

Të ngjashme