Google ADS

BQK merr pjesë në takimin vjetorë të FMN-së dhe BB-së në Washington, Guvernatori nënshkruan një marrëveshje

10:02 | 23 Tetor 2024
E.H

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, zëvendësguvernatori Milot Cakaj, anëtari jo-ekzekutiv i Bordit, Nexhat Kryeziu dhe bashkëpunëtorë të tjerë, po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), të cilat po mbahen në Washington D.C., SHBA.

Sipas njoftimit për media, përfaqësuesit e BQK-së do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet për zhvillimet më të fundit financiare dhe ekonomike, si dhe për pritjet në të ardhmen, përcjell Arbresh.info.

Gjatë takimeve, që do të zgjasin nga 22 deri më 26 tetor, Guvernatori Ismaili do të prezantojë zhvillimet kryesore dhe prioritetet në sektorin financiar, rezultatet nga zbatimi i programeve dhe asistencave teknike profesionale, si dhe nevojat për mbështetje të mëtejshme teknike.

“Në kuadër të kësaj vizite zyrtare në SHBA, delegacioni i BQK-së do të zhvillojë takime bilaterale me drejtuesit e FMN-së, BB-së, Thesarit Amerikan, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Korporatës Financiare Ndërkombëtare, si dhe me përfaqësues të bankave qendrore të Italisë, Francës dhe guvernatorëve të bankave qendrore partnere”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Gjatë kësaj vizite, Guvernatori Ismaili do të nënshkruajë Marrëveshje Mirëkuptimi me zëvendëspresidentin e BERZH-it, Bowman, lidhur me lehtësimin e qasjes në financa për gratë.

“Delegacioni i BQK-së do të marrë pjesë në takime me drejtues dhe zyrtarë të lartë të institucioneve financiare për të forcuar bashkëpunimin në fusha të përbashkëta interesi, duke marrë pjesë në rreth 30 aktivitete dhe takime bilaterale e multilaterale. Takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së mbledhin së bashku bankierë qendrorë, ministra të financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademikë, për të diskutuar çështje me rëndësi globale, si perspektivat ekonomike, lufta kundër varfërisë dhe zhvillimi ekonomik”, thuhet më tej në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme