Google ADS

BQK lëshon në përdorim web faqen e re zyrtare: Për rritje të transparencës dhe avancim të komunikimit me qytetarët

17:41 | 18 Nëntor 2024
E.G

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka ri-dizajnuar dhe lëshuar në përdorim web-faqen e saj.

Sipas njoftimit, web-faqja e re e BQK-së shënon një hap para në përmbushjen e objektivave të përcaktuara në Planin e saj Strategjik 2024-2028, që lidhet me digjitalizimin dhe modernizimin e proceseve për të avancuar mbrojtjen e konsumatorit, shkruan Arbresh.info.

“Faqja e internetit e BQK-së do të përdoret gjithashtu si një mjet komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet palëve të interesuara për shkëmbimin e përvojave me BQK-në, njohurive dhe burimeve për të forcuar besimin dhe për të informuar të gjithë qytetarët në kohën më të shpejtë të mundshme.”, thuhet në njoftim.

“Funksionet e reja të zhvilluara siç është kalendari dinamik i aktiviteteve, kërkimi gjeneral dhe ai specifik, filtrimi dhe kategorizimi i informacionit varësisht nga kërkesat e lexuesit, video galeria dhe Chat-boti për pyetjet dhe përgjigjet e shpeshta sigurojnë një përvojë më të thjeshtë për të gjitha audiencat, që nga përdoruesit e shërbimeve financiare, niveli akademik dhe deri tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare.”, thuhet tutje.

Në njoftim thuhet se kjo web-faqe është zhvilluar në përputhje me standardet e sigurisë për të mbrojtur përdoruesit nga rreziqet kibernetike, duke ofruar një platformë të sigurt për të gjithë qytetarët.

Gjithashtu, përmes platformës së re që pritet të shtohet së shpejti, BQK-ja përmirëson ndjeshëm përvojën e përdorueseve në portalet e Edukimit Financiar dhe atij të Krahasimit të Produkteve dhe Shërbimeve Financiare, gjë që do ndihmon konsumatorin të marrë vendime të mirëinformuara.

Qasje e lehtësuar është paraparë edhe në portalet ekzistuese të Ankesave dhe të Regjistrit Kreditor./Arbresh.info/

Të ngjashme