Google ADS

BQK: Janë tërhequr nga qarkullimi rreth 2.5 milionë monedha 2 euro false

15:06 | 13 Maj 2024
E.G

Banka Qendore e Kosovës ka dhënë informacione lidhur me masat dhe aktivitetet e BQK-së në luftën kundër parave të falsifikuara dhe efektet e zbatim të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme dhe Planit për Zbatim të Lehtësuar të saj.

Sipas njoftimit, në fund të vitit 2023 dhe gjatë pjesës së parë të vitit 2024, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka vazhduar të koordinojë me sukses takimet ndërinstitucionale për luftimin e monedhave të falsifikuara, veçanërisht monedhave 2 euro, shkruan Arbresh.info.

Rezultatet lidhur me luftën ndaj parave të falsifikuara dhe nga zbatimi i masave të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, deri në prill 2024, tregojnë se janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth 2.5 milionë copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh.

Janë detektuar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54,000 copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara. Është furnizuar ekonomia me afro 7.4 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar”, thuhet në njoftim.

BQK thekson se është furnizuar ekonomia me afro 5.82 milionë copë kartëmonedha euro plotësisht të reja dhe të përshtatshme për riqarkullim ne shume prej 261.6 milionë euro.

“Janë importuar monedha krejtësisht të reja 5 milionë copë, ose 8 milionë euro”, thuhet tutje.

“Janë eksportuar 2.4 milionë copë (2.8 milionë euro) të monedhës 2 euro (të tërhequra nga qarkullimi).  Numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 266,000 (dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) copë/njësi në vlerë mbi 133 (njëqind e tridhjetë e tre) milionë euro.  Janë licencuar katër (4) banka për import/eksport të parasë së gatshme; dhe  57 autorizime (kryesisht të valutave joeuro) për transport të parave të gatshme në kundërvlerë të tërësishme prej 177.4 milionë euro”, thuhet në njoftim.

BQK, shkroi edhe për efektet nga Plani për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme.

Nga lista prej 10 pikash të Planit, BQK ka realizuar aktivitete në secilën prej tyre, duke filluar nga funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800 222 55), lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së dhe aktivitetit të intensifikuar promovues, deri te pikat tjera që kanë kërkuar angazhimin dhe kontributin e institucioneve financiare.

Disa nga efektet e Planit për Zbatim të Lehtësuar të zbatuar gjatë periudhës tre (3) mujore, i cili kontribuoi në rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithëpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, janë paraqitur në vijim:

Janë licencuar tetë (8) degë/zyra të institucioneve financiare;

Një (1) zyrë bankare/degë në Leposaviq

Një (1) zyrë e kompanisë së sigurimit (jojetë) në Leposaviq

Gjashtë (6) zyra të institucioneve financiare jobankare dhe mikrofinanciare:

Një (1) në Leposaviq

Një (1) në Zveçan

Dy (2) në Graçanicë

Një (1) në Shtërpcë

Një (1) në Shillovë, Gjilan

Janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar;

Janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese (duke përfshirë Remote Banking);

Janë dhënë afër 11 milionë euro kredi.

“Gjatë kësaj periudhe transitore tashmë të përmbyllur, BQK-ja në kuadër të edukimit financiar, ka organizuar kampanja informuese, siç është Manuali për Pyetjet dhe Përgjigjet e Shpeshta mbi Rregulloren, dërgimi i SMS-ve informuese, publikimi i sqarimeve dhe njoftimeve në webfaqe dhe në të gjitha rrjetet sociale të BQK-së, në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Sa i përket luftës ndaj parave të falsifikuara dhe kujdesit të duhur, BQK-ja vazhdon t’i inkurajojë qytetarët dhe bizneset të deponojnë monedhat e tyre në bankat komerciale dhe të përdorin sa më tepër kartelat dhe pagesat tjera elektronike, si dhe çdo dyshim për tentim të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara nga falsifikatorët ta raportojnë tek autoritetet përgjegjëse. Po ashtu, udhëzohen bizneset që të furnizohen me monedha vetëm përmes bankave komerciale dhe të shmangin kanalet jozyrtare, si dhe të ofrojnë sa më tepër mundësi për pranimin e pagesave elektronike”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme