Banka Qendrore e Kosovës është pa bord që prej qershorit të vitit 2020 dhe siç thonë nga ky institucion për Radion Evropa e Lirë, nëse Bordi nuk kompletohet deri në fund të këtij viti, i tërë sistemi financiar rrezikon që të bllokohet.
BQK-ja ka dërguar në Kuvendin e Kosovës emrat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, por deri më tani, legjislativi nuk ka marrë vendim.
Zgjedhjen e tyre në mënyrë urgjente e ka rekomanduar edhe Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të publikuar më 19 tetor.
Komisioni Evropian në Raportin e Progresit ka alarmuar për një numër procesesh të nisura dhe që janë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, siç është liberalizimi i sigurimeve, rregullorja për likuiditet etj, por që pa kompletimin e bordit, të njëjtat nuk do të mund të hyjnë në fuqi.
Në mungesë të Bordit, BQK-ja gjithashtu është duke funksionuar pa buxhet të miratuar, pasi ky proces është kompetencë e bordit. Aktualisht, BQK-ja është duke shfrytëzuar një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraprak. Kjo vlen vetëm për qëllime të financimit të shpenzimeve operacionale.
Përveç kësaj, BQK-ja ka bërë të ditur se mungesa e Bordit pamundëson miratimin e rregulloreve të reja dhe ndryshimin e atyre ekzistuese, si dhe pengon përafrimin e vazhdueshëm të kornizës rregullative të BQK-së me aktet rregullative të BE-së, parimeve bazë për mbikëqyrje efektive dhe dokumenteve të Komitetit të Bazelit.
Në Bankën Qendrore të Kosovës thonë se pa kompletimin e bordit, nga janari i vitit të ardhshëm nuk do të mund të paguajnë as punëtorët.
“Pamundësia e shfrytëzimit të buxhetit do të nënkuptonte ndërprerjen e aktiviteteve të BQK-së, me pasoja shumë të rënda për funksionimin normal të ekonomisë, por edhe të vetë shtetit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e BQK-së dërguar Radios Evropa e Lirë.
Mbi 15 muaj pa bord
BQK-ja ka përfunduar procedurat për përzgjedhjen e tre anëtarëve joekzekutivë të Bordit, nga shpallja e konkursit e deri te procedimi i listës së ngushtë të kandidatëve që e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës.
BQK-ja më 13 prill të këtij viti dërgoi në kuvend emrat për anëtarë të Bordit, por deri më tani nuk ka ndodhur asgjë.
Bordi i BQK-së përbëhet prej pesë anëtarëve dhe aktualisht janë vetëm dy anëtarë: guvernatori i BQK-së dhe kryetari i Bordit, të cilit i ka skaduar mandati.
Profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e bordit të BQK-së është duke dëmtuar shumë procese në Kosovë.
Ai shton se si BQK janë edhe shumë institucione tjera në Kosovë.
“Të njëjtën gjë e kemi edhe në ndërmarrjet tjera publike, të cilat po mbesin peng i këtyre proceseve, por besoj që prioritet në aspektin kohor afatshkurt për institucionet aktuale do të jetë kompletimi i këtyre bordeve. Qoftë në Telekom, qoftë në Postë, në Trepçë, Ibër Lepenc, kemi zakonisht ushtrues detyre të udhëheqjes së bordeve, të cilat borde janë të përkohshme dhe kjo është një qasje e cila do të godasë seriozitetin e punëve dhe performancën e këtyre ndërmarrjeve”, thotë Gërxhaliu.
Dyshime për procesin e përzgjedhjes së bordit të ri
Përzgjedhjen e borit të ri të BQK-së e vlerësojnë si urgjente edhe deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti i kësaj partie, Eman Rrahmani, që po ashtu është pjesë e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka dyshime për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të bordit të BQK-së.
“Natyrisht që kanë qenë disa procese për të cilat ka edhe dyshime që nuk kanë qenë të rregullta në aspektin ligjor, dhe mendoj se duhet të shikohet edhe ligjshmëria e tyre te përzgjedhja e kandidatëve potencialë për anëtarë të bordit apo për pozicione tjera që kanë kaluar në BQK dhe i janë drejtuar kuvendit, mirëpo nuk që janë procese krejt të qarta dhe të rregulla”, thotë Rrahmani.
Ai thotë se mungesa e bordit ka ndikuar në performancën jo të mirë të BQK-së, por nuk përmend se cilat do të jenë hapat e ardhshëm në kompletimin e bordit.
Opozita: Tentim për politizimin e bordeve
Deputetë të partive opozitare që janë pjesë e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, i cili i dërgon emrat e kandidatëve për miratim në kuvend, thonë se Qeveria Kurti po tenton të mbushë bordet e institucioneve me anëtarë të partisë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se qeveria po e neglizhon funksionalizimin e bordeve, që sipas tij, pamundëson vendimmarrjen në këto institucione.
“Sigurisht që kjo në vetvete sjellë edhe probleme të mëdha në çështjet e vendimmarrjes në këtë institucion. Prandaj, jo vetëm në BQK, por edhe në institucionet tjera të pavarura, po shihet qartë se më shumë e ka politizuar pushteti aktual se që ka ardhur me një platformë, e cila mund të sjellë zgjidhjen e problemeve edhe në këtë rast ka krijuar problem sesa i ka zgjedhur ato”, thekson Lushtaku.
Edhe anëtari tjetër i këtij komisioni, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thotë për Radion Evropa e Lirë se qeveria po tregohet joprofesionale dhe tendencioze, e që sipas tij, mosfunksionalizimi i bordeve të shumë ndërmarrjeve, do të ketë edhe pasoja ekonomike.
“Vetë Qeveria Kurti po e neglizhon funksionalizimin e bordeve pikërisht në prag të zgjedhjeve. Çdo institucion vital që nuk ka të formuar bordin dhe nuk funksionon si duhet, ndikon negativisht në Kosovë”, thotë Lekaj.
Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, megjithatë thotë se në disa ndërmarrje janë hapur konkurset edhe janë në proces të përzgjedhjes së bordeve të rregullta.
Deri tash, sipas tij, ka pasur borde të përkohshme për shkak të ndalimit të keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit që është bërë.
Rrahmani thekson se janë larguar ato borde, të cilat sipas raporteve të auditimit, kanë pasur keqmenaxhime të mëdha e të theksuara.
Aktualisht, në Bordin e BQK-së janë tri pozita të lira, për plotësimin e të cilave BQK-ja ka dërguar në Kuvendin e Kosovës listën e kandidatëve për përzgjedhje, të cilët pritet të procedohen tutje për votim nga Kuvendi i Kosovës.
Ramiz Brahimaj mposht fuqishëm Mickey Gall, i mjaftoi vetëm ...
80-vjetori i çlirimit, Veliaj: Tirana dhe Shqipëria sot janë...
Rusia kryen sulm masiv ndaj infrastrukturës energjetike të U...
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës me atë të RMV-së, Krasniqi: D...
Gjesti me akuza ndaj Edit dhe Xhenetës që po bëjnë “filma”
Policia shqiptoi mbi 1600 gjoba brenda 24 orëve