Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se vlera e investimeve direkte në Republikën e Kosovës deri në fund të muajit maj 2024 ka arritur 341.22 milionë euro.
Sipas BQK-së, vlera e investimeve direkte jashtë Republikës së Kosovës për këtë periudhë ishte 84.14 milionë euro.
“Eksporti i mallrave për këtë muaj shënoi vlerën e 373.86 milionë eurove”, thuhet në njoftim të BQK-së.
Sipas BQK-së, importi i mallrave ishte 2 miliardë e 207.79 milionë euro.
BQK njofton se llogaria e shërbimeve shënoi vlerën e 439.60 milionë eurove, ndërkaq dërgesat preliminare nga mërgata deri në muajin maj 2024 ishin 512.96 milionë euro.
Bilanci i pagesave deri në fund të muajit maj 2024 u karakterizua me një deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 556.39 milionë eurosh, i cili tregon rritje prej 101.88 milionë eurosh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Bilanci tregtar në mallra deri në fund majit 2024 shënoi deficit në vlerë 1,833.93 milion euro, i cili është për 8.04 % më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 373.86 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 4.14 %, ndërsa importi i mallrave shënoi rritje prej 7.36 %, duke arritur vlerën 2,207.79 milionë euro.
Llogaria e shërbimeve, e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, deri në fund të majit 2024 shënoi vlerën e 439.60 milionë eurove, që është për 0.33 % më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.
Të ardhurat parësore deri në fund të majit 2024 shënuan bilanc pozitiv prej 65.79 milionë euro, të cilat në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin vlerë 32.21 milionë euro duke treguar një rritje prej 104.28 %.
Të ardhurat dytësore mbeten kontribuueset kryesore në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Deri në maj 2024 kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 772.16 milionë eurosh, e cila paraqet vlerë pothuajse të njëjtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.
Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në maj 2024 shënoi 512.96 milionë euro, që paraqet rritje prej 9.56 milionë euro ose 1.90 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin qershor 2024 ishin rreth 119.71 milionë euro, duke arritur kështu vlerën për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 në 632.67 milionë euro (preliminare). Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit qershor kanë qenë përmes IFJB 60.14 %, përmes bankave komerciale 15.50% dhe kanaleve tjera 24.36 %.
Asetet në llogarinë financiare deri në fund të majit 2024 kanë shënuar bilanc negativ për 21.47 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë prej 352.01 milionë euro.
Investimet direkte në Kosovë deri në fund të majit 2024 ishin 341.22 milionë euro, që paraqesin një rritje prej 10.00 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 84.14 milionë euro.
Asetet rezervë deri në fund të majit 2024 janë rritur për 99.31 milionë euro, e cila përfaqëson rritje prej 52.70 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave të cilat gjatë periudhës janar-maj 2024 u rritën për 192.29 milionë euro. Ndërsa, investimet në letra me vlerë gjatë kësaj periudhe u zvogëluan për 92.98 milionë euro për shkak të maturimit të disa prej letrave me vlerë./eo
Uria në mes të natës – arsyet shëndetësore pse ndodh
Pse yjet shkëlqejnë më fort në male?
Frutat e thata ndihmojnë me kancerin e gjirit?
Tifozët mendojnë se kanë gjetur ‘arsyen e vërtetë’ pse Vinic...
Hakerët kinezë vënë në objektiv familjen Trump dhe këshillta...
Protesta e opozitës, Berisha: Shqipëria u paralizua, për tri...