Zëvendësguvernatori i BQK-së për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi prezantuan para mediave masat e ndërmarra lidhur me modelin e ri që do të aplikohet me kostimin e sigurimit të detyrueshëm.
Zëvendësguvernatori Havolli përmendi një numër reformash të ndërmarra nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me qëllim të përmirësimit të gjendjes në këtë sektor pasi ai vazhdon të mbetet i pazhvilluar mjaftueshëm, është koncentruar në produkte të sigurimit të detyrueshëm (autopërgjegjësi), si dhe është ballafaquar me mospërmbushje të kushteve, të cilat ndërlidhen me kërkesat rregullatore për kapitalizim dhe provizionim.
Problemet në këtë industri, sipas tij kanë bërë që performanca e këtij sektori të jetë e brishtë, duke reflektuar edhe në aftësinë e sektorit për të kryer detyrimet ndaj të siguruarve.
“Rezultatet e reformave të ndërmarra nga BQK-ja kanë sjellë një reagim mjaft pozitiv dhe intensiv nga industria e sigurimeve. Gjatë kësaj periudhe, mbi 11 milionë euro kapital janë shtuar nga aksionarët e kompanive të sigurimit për të plotësuar nevojat e kapitalit dhe provizionimit në kompanitë e tyre. Gjatë javës së fundit të këtij muaji po ashtu presim të shtohen edhe të paktën 3 milionë euro. BQK-ja gjatë vitit të kaluar ka ndërmarrë veprime të nevojshme që të sigurohet kompensimi i plotë i dëmeve ndaj palëve të dëmtuara. Kjo ka përfshirë, por nuk është kufizuar, në rritjen e tarifave si dhe uljen drastike të shpenzimeve për kompanitë e sigurimeve me rregullore nga BQK. Gjithashtu, BQK vazhdon të jetë e vendosur që gjatë këtij viti, të gjitha kompanitë duhet të arrijnë në pajtueshmëri të plotë me kërkesat rregullative”, deklaroi Zëvendësguvernatori Havolli.
Ndër të tjera, ai përmendi se kjo industri ka qenë prioritet në agjendën e Guvernatorit dhe të BQK-së në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, ku është vendosur që çështja e kapitalizimit të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, derisa ky proces i paraparë të përfundoj në qershor u shty për një periudhë jo të gjatë, për shkak të pandemisë.
“Gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, kemi pasur komunikim të vazhdueshëm institucional me Kryetarin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, në përpjekje për të gjetur modalitetet më të avancuara për adresimin e produktit të TPL-së në tregun e Kosovës. Në këtë kontekst, BQK-ja ka ndërmarrë përgatitjet e nevojshme duke arritur në konkluzionin se modeli i çmimeve për produktet e detyrueshme duhet të avancohet në mënyrë që të siguroj mbulimin e rrezikut potencial për çdo të siguruar dhe, në të njëjtën kohë, të lejoj variacion në kosto duke u bazuar në karakteristikat individuale për sa i përket riskut të të siguruarit. Pra çmime të përcaktuara nga tregu dhe risku. Prandaj, përmes kësaj konference, dëshirojmë të ju njoftojmë se si rezultat i bashkëpunimit të afërt me AKK-në, kemi ardhur në përfundim se modeli i kostimit të policave të detyrueshme duhet të jetë i bazuar në riskun individual të të siguruarit. Synimi ynë si BQK është që në një periudhë afatshkurtër të lëvizim nga modeli i cili ka qenë në aplikim për një periudhë rreth 20 vjeçare, në një model i cili mund të konsiderohet si model liberal i kostimit, duke respektuar faktorët individual të riskut sigurues. Lëvizja në drejtim të liberalizimit sigurisht se do të gjejë përkrahje të plotë nga partnerët tanë nga institucionet financiare ndërkombëtare, por se parakusht absolut për të lëvizur në këtë drejtim, ka qenë kapitalizimi i industrisë. Konsideroj se tanimë janë duke u plotësuar kushtet që të ndërmarrim këto veprime”, tha tutje Zëvendësguvernatori Havolli.
Ndërsa, kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi i cilësoi të jashtëzakonshme veprimet e BQK-së në rregullimin e kësaj industrie.
“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe BQK-ja janë duke e trajtuar këtë rast nga viti i kaluar dhe në rekomandimet profesionale që i kemi ofruar BQK-së, kemi theksuar nevojën e liberalizimit të këtij tregu dhe që të mos kemi çmime të unifikuara të primit të TPL-së dhe kështu t’i hapet rrugë presionit konkurrues ndërmjet kompanive të sigurimeve që janë në treg. AKK i ka rekomanduar BQK-së si rregullator i tregut, që të fillojnë përgatitjet që nga rregullimi i tanishëm i tregut të kalohet në një sërë tarifash të lejuara siç e themi ne në konkurrencë tavan dhe dysheme, dhe më pastaj të kalohet në çmimet e tregut plotësisht të liberalizuar. Në fillim të vitit të ardhshëm të kalojmë në fazën e dytë të caktimit të primeve”, deklaroi Prestreshi.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe më tutje./arbresh.info
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...