Bota përjetoi marsin e saj më të ngrohtë në histori, tha të martën Shërbimi i Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian.
Në fakt, secili nga 10 muajt e fundit u rendit si më i nxehti ndonjëherë, krahasuar me muajt korrespondues të viteve të mëparshme, thuhet në buletinin e tij mujor.
Dymbëdhjetë muajt që përfunduan me marsin, u renditën gjithashtu si periudha më e nxehtë 12-mujore e regjistruar ndonjëherë në planet.
Nga prilli 2023 deri në mars 2024, temperatura mesatare globale ishte për 1.58 gradë Celsius mbi mesataren e temperaturës në periudhën para-industriale, nga viti 1850 deri më 1900.
“Është trend afatgjatë me rekorde të jashtëzakonshme që na shqetëson shumë”, tha zëvendësdrejtoresha e Shërbimit të Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike e BE-së, Samantha Burgess, për agjencinë e lajmeve, Reuters.
“Duke parë rekorde të tilla – muaj pas muaji – shohim vërtet se klima jonë po ndryshon me shpejtësi”, shtoi ajo.
Thatësira e nxitur nga ndryshimet klimatike në rajonin e pyjeve tropikale të Amazonës, shkaktoi një numër rekord zjarresh në Venezuelë nga janari deri në mars, ndërsa thatësira në Afrikën e Jugut shkatërroi të korra dhe bëri që miliona njerëz të përballen me urinë.
Shkaku kryesor i nxehtësisë së jashtëzakonshme ishin emetimet e gazrave serrë, të shkaktuara nga njerëzit, tha Shërbimi i Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike i BE-së.
Faktorët tjerë që i rritën temperaturat, përfshijnë El Ninon – fenomenin e motit që ngroh ujërat sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor lindor./rel
Bahtijari pranon fajësinë në Hagë
Rizvanolli: KRU “Prishtina” ka pasur përmirësime...
Britania sanksionon 5 zyrtarë gjeorgjianë për shtypjen e pro...
Ancelotti thotë se nuk e kishte menduar rikthimin tek Reali,...
Arrestohet 40 vjeçari në veri, policia i gjen rreth 100 kart...
Haradinaj për Hovenierin: Ishte më shumë se ambasador