Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Qytetarët e këtyre komunave (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), nuk kanë paguar që nga mbarimi i luftës së fundit për energjinë e shpenzuar.
Që nga viti, 1999 deri në vitin 2017, faturat e shpenzuara të asaj pjese u janë faturuar qytetarëve të viseve tjera të Kosovës. Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit, në fund të vitit 2017, kishte vendosur që kjo praktikë të pezullohet, sepse ishte joligjore.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka tha për Radion Evropa e Lirë, se faturat e energjisë nuk paguhen aktualisht as nga qytetarët dhe as nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Lluka tregon se pjesa veriore e Kosovës është duke u furnizuar nga transmisioni ndërkombëtar, por borxhi do të mbetet pezull, derisa të merret një vendim rreth inkasimit të mjeteve.
“Për momentin është duke u bërë tërheqje nga transmisioni ndërkombëtar. Që do të thotë se për atë energji jemi duke u futur në borxh në rrjetin ndërkombëtar të transmisionit, sepse e tërheqim ekzakt sasinë e njëjtë që kërkohet nga konsumi verior”, tha Lluka.
“Ajo energji normalisht se dikur do kthehet (do të paguhet). Dhe forma se si do të kthehet do të jetë pjesë e diskutimit me fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për energji. A do të kthehet përmes tarifave të qytetarëve në veri, a të kthehet përmes një bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës apo përmes tepricave energjetike të Korporatës Energjetike të Kosovës, nuk është definuar ende”, tha ministri Lluka.
Për zgjidhjen e problemeve energjetike në pjesën veriore të Kosovës ekziston edhe një marrëveshje e nënshkruar midis Prishtinës dhe Beogradit, në Bruksel më 2013, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Por, kjo marrëveshje asnjëherë nuk është zbatuar për shkak se në bazë të saj, kusht për Serbinë është regjistrimi i një kompanie serbe për furnizim me energji elektrike të pjesës veriore. Serbia vazhdimisht ka hezituar për të bërë regjistrimin e kompanisë, për shkak të mosnjohjes së institucioneve të Republikës së Kosovës.
Por, ministri Lluka tregon se tashmë kjo kompani është regjistruar në institucionet e Kosovës dhe pritet licencimi i saj.
“Pjesë e marrëveshjes ka qenë të regjistrohet një kompani ku pronarë të jetë transmisioni serb, në mënyrë që të fillojë inkasimi. Normalisht që ajo energji do të vijë përmes Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) te kompania e regjistruar në veri dhe do të bëhet furnizimi i qytetarëve. KEDS aktualisht nuk ka qasje ne veri”, thekson Lluka.
Por, tashmë është regjistruar kompania serbe. Fillimisht arsyeja e bllokadës ka qenë përdorimi i termit “Kosova Metohija” në statusin e kompanisë. Por tashmë është eliminuar ky problem, tha ministri Lluka.
Edhe përfaqësues të shoqërisë civile, me gjithë kritikat që kanë për sektorin energjetike në përgjithësi, pajtohen se kohëve të fundit ka pasur përmirësim në pavarësimin energjetik të Kosovës.
Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se edhe pjesa veriore e Kosovës duhet të integrohet në sistemin energjetik te Kosovës.
“Parimisht ajo pjesë e Kosovës duhet të gëzojë të drejtën e furnizimit me energji elektrike si produkt bazë, mirëpo për këtë normalisht pagesën e energjisë duhet të bëjë në mënyrë të rregullt dhe kjo pagesë të reflektohet në barazimet përfundimtare në sistemin energjetike të Kosovës”, thotë Abazi.
Ndërkohë, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Luka, beson se në vitin 2020 do të zgjidhë problemet energjetike veri. Kjo për faktin se Operatorët e Transmisioneve të Evropës Kontinentale, kanë marrë vendim që Republika e Kosovës të kontrollojë dhe menaxhojë kufijtë e energjetikë.
Mali i Zi vendos ta ekstradojë në SHBA “mbretin e kriptovalu...
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...