Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha të martën se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces kompleks, por ai u shpreh se arritja e një marrëveshjeje finale është çështje muajsh, e jo vitesh.
Këto komente Borrell i bëri pasi ministrat e Jashtëm të BE-së u takuan në Luksemburg, takim në të cilin, i dërguari i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, raportoi për rrjedhën e këtij procesi dhe vazhdimin e tij.
“Ky është një proces kompleks dhe dialogu nuk është i lehtë. Bisedimet po vazhdojnë, kemi pasur dy takime në nivel të lartë dhe nuk ka qenë gjithmonë lehtë. Të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar këtë dialog të vështirë. Të dy liderët, presidenti i Serbisë (Aleksandar Vuçiq) dhe kryeministri i Kosovës (Avdullah Hoti), kanë thënë se i japin prioritet të lartë perspektivës evropiane të rajonit. Dialogu është një kusht i domosdoshëm për rrugën e tyre evropiane”, është shprehur Borrell.
Ndonëse tha se BE-ja nuk do të vendosë afate artificiale për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, Borrell tha se një marrëveshje e tillë mund të arrihet shpejt, nëse palët angazhohen.
“Unë personalisht besoj se arritja e marrëveshjes përfundimtare është çështje muajsh e jo vitesh, me kusht që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive. Ne nuk e shkruajmë paraprakisht se cila është zgjidhja. As nuk do të caktojmë afate artificiale për të përshpejtuar procesin. Ne mirëpresim të gjitha nismat në mbështetje të dialogut. Mirëpresim edhe angazhimin e SHBA-së, por është BE-ja ajo që e udhëheqë këtë proces”, tha Borrell, duke përkujtuar se kusht është edhe forcimi i fqinjësisë së mirë.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se përmbyllja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të konsiderohej sukses edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Mbetemi të përkushtuar që ta sjellim dialogun në një përmbyllje të suksesshme. Suksesi është kyç jo vetëm për Prishtinë dhe Beogradin, por për rajonin në tërësi. Në takim është shprehur një mbështetje e fuqishme për punën që po bën Mirosllav Lajçak”, tha Borrell.
Ai u ka bërë ftesë liderëve që të punojnë së bashku në ndërtimin e mirëbesimit dhe pajtimit. Po ashtu, ka përsëritur qëndrimin se perspektiva evropiane është për të gjithë dhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë kjo shkon edhe përmes dialogut.
Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak deklaroi të hënën se është mirënjohës për interesimin e ministrave të Jashtëm të BE-së dhe mbështetjen e fuqishme për dialogun Kosovë-Serbi.
“Diskutimi i sotëm konfirmoi se dialogu është qartazi i lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në një postim në Twitter.
Lajçak të martën pritet të qëndrojë në Prishtinë dhe pastaj pritet të vizitojë edhe Beogradin për, siç u tha në Bruksel, “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Kosova ka thënë se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e këtij Asociacioni, por Serbia insiston që të bisedohet për të.
Formimi i tij është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.
Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur në disa raste se çështja e Asociacionit është një temë tashmë e mbyllur.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Së fundmi, Shtetet e Bashkuara janë angazhuar po ashtu në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku në kuadër të këtij angazhimi, u arrit edhe një marrëveshje për normalizim ekonomik më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
Për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti amerikan, Donald Trump, qysh në tetor të vitit 2019, ka emëruar Richard Grenellin, si të dërguarin e tij të posaçëm për këtë proces.
Rohde provon shtegun e ri të biçikletave në Pejë: Ua rekoman...
Arne Slot zgjedh “ushtarët” e tij në “betejën” ndaj Real Mad...
Befason trajneri i Lille, lë Zhegrovën në bankë rezervë ndaj...
Dumfires vazhdon me Interin edhe katër vite tjera
Mes shumë mungesash, Ancelotti ka zgjedhur 11-shen për ndesh...
Ambasada e Shqipërisë uron 28 Nëntorin