Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, e ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për përpjekjet që po bën për të gjetur zgjidhje, pas rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“E kam bërë të qartë edhe pas takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së se, palët duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje, sipas planit të BE-së, që u është prezantuar atyre javën e kaluar në Bruksel. Situata kërkon hapa të shpejtë dhe zgjidhje të shpejtë, dhe mund t’ju them që vendet janë duke humbur durimin, andaj kërkojnë veprime të shpejta”, ka thënë Borrell në një konferencë për media me Ramën në Bruksel.
Kryeministri Rama, në anën tjetër, ka thënë se është i shqetësuar për tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi pjesë e rajonit i cili ka vuajtur shumë në të kaluarën dhe nuk mund të jetojmë me kthim prapa. Zhvillimet nuk janë të ndara nga njëra-tjetra dhe nuk mund ta shikojmë vetëm punën dhe detyrat tona, pa u shqetësuar se çfarë ndodh rreth nesh“.
Përgjatë konferencës, ai e ka përmendur idenë e një takimi të nivelit të lartë, në të cilin, Kosova dhe Serbia, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, do të gjenin një zgjidhje.
“Shpresoj shumë se ideja e një konference në nivelin më të lartë do të marrë mbështetje dhe t’i bëjë palët bashkë, me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së, që të gjejnë zgjidhje dhe të mos lejohen të dalin nga dhoma pa zgjidhje, apo në të kundërtën të përballen me pasoja” ka thënë Rama.
Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se nuk duhet të lejohet që gjithçka e arritur në rajon “të shembet si një kullë prej rëre“.
Sipas tij, lirimi i tre policëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë përbën lajm të mirë, dhe tani është koha për shtensonim urgjent.
Tre policët janë liruar nga paraburgimi më 26 qershor do të mbrohen në liri.
Ata janë arrestuar më 14 qershor.
Ndaj tyre rëndon vepra penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.
Kosova pretendon se ata janë rrëmbyer nga territori i Kosovës, por Serbia deklaron se i ka arrestuar në territorin e saj.
Arrestimi i tyre përbën vetëm një prej arsyeve të rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Atmosfera është përkeqësuar prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Komuniteti serb, i cili i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.
Çështja e tensioneve në Kosovë do të jetë temë diskutimi edhe në takimet e shefave të shteteve të BE-së, të enjten dhe të premten në Bruksel./rel
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë