Borrell: Kurti e Vuçiq të kthehen tek dialogu

21:32 | 18 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të kthehen në situatën kur mund të vazhdojë dialogu në Bruksel.

Borell në një konferencë për media foli për situatën e fundit që u shkaktua në pikat kufitare Kosovë – Serbi, përkatësisht në Jarinjë dhe Bërnjak.
“Kemi pasur situatë të vështirë në kufirin Kosovë – Serbi. Kam folur si me Vuçiqin ashtu edhe me Kurtin. Rastet e fundit dhe marrëveshja (për targat) tregojnë se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga e vetme. Unë i ftoj të dy që të kthehen në situatën ku mund të vazhdojnë dialogun”, ka thënë Borell.

Borrell u kritikua për deklaratën pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri për luftim të kontrabandës, ku serbët po ashtu protestuan dhe bënë rezistencë. Ai tha se “aksionet e tilla duhet të koordinohen”, por kjo u mor si anim për Serbinë.

Qeveria e Kosovës iu përgjigj se për luftim të kontrabandës dhe zbatim të ligjit nuk pyet askënd./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme