Google ADS

Borrell: Ka marrëveshje Kosovë – Serbi

23:19 | 18 Mars 2023
K.B

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas përfundimit të takimit 12 orësh në Ohër, ka njoftuar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Në një deklarim për media, Borrell ka thënë se si pjesë e këtij aneksi, palët janë pajtuar që të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian, për përmbajtjen e të cilit palët janë darkoduar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

“Kemi pasur një ditë të gjatë. Synimi i sotëm ishte që Serbia dhe Kosova të pajtoheshin mbi atë se si do ta zbatonin marrëveshjen e pranuar më 27 shkurt në Bruksel. Kjo do të thotë hapa praktikë mbi atë se çka duhet të bëhet dhe si. Kam kënaqësinë të them se pas 12 orësh kemi një marrëveshje dhe pajtim. Mund të deklaroj se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Si pjesë e këtij aneksi palët janë pajtuar që të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe të implementojnë detyrimet e tyre në mirëbesim”, është shprehur ai.

Borell ka përmendur edhe nenin 7 të shumëpërfolur për çështjen e “Vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”, i cili në opinionin kosovar është diskutuar si neni që lejon themelimin e Asociacionit në Kosovë.

“Për nenin 7 – Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, ka thënë ai.

Borrell mes tjerash ka deklaruar se palët janë pajtuar gjithashtu për të miratuar deklaratën mbi personat e pagjetur të negociuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja si çështje urgjente.

“Fillimisht kemi propozuar një aneks më të detajuar, por palët nuk kanë arritur pajtim mbi atë version më të hollësishëm. Në njërën anë Kosova nuk ka pasur fleksibilitet sa i përket substancës, në anën tjetër Serbia ka theksuar në parim që të mos nënshkruaj edhe pse është e gatshme që të implementojë. Pra, aneksi konsiderohet i miratuar me një deklaratë që do të publikohet”.

Në fund, Borrell ka paralajmëruar se BE-ja me forcë do të iu kërkojë palëve që të përmbushin obligimet të tyre dhe “mos-përmbushja e tyre do të ketë pasoja”.

lexo edhe:

Vuçiq: Nuk kam nënshkruar asgjë, por ka një marrëveshje

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme