Borell para takimit Kurti – Vuçiq: Zbatimi i marrëveshjeve, fjala kyçe

15:24 | 26 Qershor 2024
E.K

“Zbatimi është fjala kyçe”, kjo ka qenë porosia e Shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josef Borell, për marrëveshjet e arritura deri më tani mes Kosovës e Serbisë, në konferencën për media, në prag të takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në “raundin e ri të dialogut”.

“Viteve të kaluara dialogu ka sjellë shumë arritje, që ofrojnë një pasqyrë që nuk duhet t’i huqim. Ka pasur arritje të rëndësishme dhe më e madhja është Marrëveshja për Rrugën për Normalizim. Tani në kohën e kësaj lufte në kontinentin tonë, arritja e një marrëveshje për paqe, stabilitet e fqinjësi të mirë është një e arritur historike”, ka thënë Borell.

Ai ka potencuar se dëshiron të flasë me dy liderët për të parë se si ata e shohin të ardhmen e këtij dialogu.

“Të gjithë do të shikojnë ende kapacitetin dhe vullnetin e presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane për popullin e tyre. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në qendër të angazhimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Progresi i normalizimit të marrëdhënieve të tyre është gjithashtu i lidhur ngushtë me rrugën e anëtarësimit”, ka deklaruar ai.

Borell ka thënë se ndryshimet e përfaqësuesve pas zgjedhjeve evropiane nuk do të ndikojnë në pritjet e Bashkimit Evropian nga Kosova e Serbia për normalizim të marrëdhënieve.

“Brenda disa muajve, do të ketë njerëz e emra të ndryshëm në punën tonë, por marrëveshjet, konkluzionet dhe pritjet e BE-së nuk do të ndryshojnë. Shtetet anëtare nuk do të ndryshojnë, zotimet dhe obligimet e Kosovës e Serbisë nuk do të largohen. Të gjithë do të presin dhe shikojnë kapacitetet e gatishmërinë e presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane”, ka deklaruar shefi i politikës së jashtme.

Tutje ai ka bërë thirrje për përparim dhe zotërim të zbatimit të marrëveshjeve.

“Një marrëveshje që ishte arritur në shkurt dhe në mars, nëse shikojmë prapa në përmbledhjen e këtyre takimeve do t’ju kujtohet se zakonisht kemi pasur mungesë të zotimit, mungesë të përparimit, mungesë të zbatimit, mungesë të gatishmërisë për të arritur një konsensus. Sot raundi i ri i dialogut, shpresoj se do të dërgojë një porosi tjetër dhe do të përfundojë pak më mirë”, ka dhënë porosi Borell./rtk

Të ngjashme