Për situatën e tensionuar mes Kosovës e Serbisë, ka shkruar Prestigjiozja “Bloomberg”.
“Hangoveri i luftës në Kosovën e ndarë është një paralajmërim për Evropën”, është titulli me të cilin Bloomberg e nisë artikullin rreth tensioneve të fundit mes të dyja vendeve, që u shpërfaqën edhe më shumë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targa dhe dokumente me shtetin serb.
“Duhet vetëm një minutë kohë për të kaluar urën që lidh të dyja anët e lumit Ibër në qytetin e Mitrovicës, e megjithatë ky është një udhëtim që të kthen vite pas në kohë.
E rinovuar pas ndërhyrjes së NATO-s, për t’i dhënë fund konfliktit etnik në Kosovë, shpresa ishte që ura të shndërrohej në një simbol të unitetit në vendin e ndarë. Më shumë se dy dekada më vonë, ai mbetet kufiri midis botëve që janë përplasur sërish javët e fundit”, shkruan Bloomberg.
Qytetarët e intervistuar nga mediumi thonë se në 23 vjet, është bërë shumë pak për të bashkuar të dy komunitetet.
Bloomberg ndër të tjera shkruan se udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi janë nën presion të shtuar ndaj tyre nga Uashingtoni dhe Brukseli për të përmbushur premtimet e tyre për t’u pajtuar pas rikonfirmimit të fuqisë së tyre politike.
“Kurti fitoi 50% të votave në zgjedhjet e fundit, ndërsa partia e Vuçiqit mori gati 60% të votave në Serbi.
Por mandatet e tyre u kanë mundësuar gjithashtu të rrisin retorikën kundër njëri-tjetrit dhe të heshtin opozitën, duke e bërë më të vështirë bashkëjetesën në terren”, shkruan Bloomberg.
Tensionet e fundit sipas analizës së Bloomberg duke marrë parasysh se për çka filluan, mund të duken të parëndësishme për një të huaj, por duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, sipas mediumit, mund të jenë “paralajmërim ogurzi për Evropën”
“Shpërthimi i fundit erdhi nga nisma e Kosovës për të standardizuar kartat e identitetit dhe targat e makinave, diçka që mund të duket relativisht e parëndësishme për dikë të huaj, duke pasur parasysh luftën brutale të Rusisë në Ukrainë. Por në një kontinent që po përndiqet nga betejat ndërmjet lindjes dhe perëndimit, dështimi i kombit të vogël prej 1.8 milionë banorësh për të ecur përpara mbart një paralajmërim ogurzi për Evropën”, shkruan Bloomberg.
“Mitrovica tregon se se si ngecja midis lidershipit serb dhe atij kosovar i ka penguar të dy vendet të bien dakord për një marrëveshje përfundimtare të pasluftës, një parakusht për çdo shans për anëtarësimin në BE që të dyja palët e dëshirojnë, siç e dëshiron edhe Ukraina.
Ura e këmbësorëve, e ruajtur gjatë gjithë orarit nga karabinierët italianë, është e hapur për të gjithë qytetarët. Rrjedha e njerëzve, megjithatë, është aq e vogël sa nuk zgjon as qentë endacakë të shtrirë në diell.
Shumica e të rinjve të lindur pas luftës të cilët janë intervistuar në mbarë Kosovën gjatë një jave të fundit nuk kanë qenë kurrë në anën tjetër të ndarjes së tyre kombëtare. Ata që e bënë, thanë se shkuan fshehurazi”, vijon artikulli.
Qytetarët nga të dy anët thonë se ajo që i shqetëson është trashëgimia e konfliktit për gjeneratën e ardhshme në një vend me popullsinë më të re në Evropë.
“Por ajo që shqetësoi qytetarët e intervistuar muajin e kaluar në të dyja anët e ndarjes etnike në Kosovë ishte trashëgimia e konfliktit për gjeneratën e ardhshme në një vend me popullsinë më të re në Evropë. Ata përmendën mungesën e plotë të ndërveprimit mes të rinjve që janë rritur të ndarë nga gjuha, territori dhe një interpretim i historisë të përcjellë nga të moshuarit e tyre.
“Njerëzit e moshuar po u tregojnë histori të konfliktit dhe kjo krijon urrejtje,” tha një nga ta./arbresh.info/
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...