Situata në veri të Kosovës ka më shumë se një muaj që është e tensionuar dhe me protesta të vazhdueshme që nga marrja e detyrës së kryetarëve të rinj të katër komunave me shumicë serbe, në atë pjesë të vendit.
Situata eskaloi kur tre zyrtarët policorë të Kosovës u rrëmbyen nga policia serbe në kufirin Kosovë-Serbi.
Pas kësaj, Qeveria e Kosovës mori vendim që të ndalojë hyrjen e kamionëve me targa të Serbisë dhe mallrave me origjinë serbe, raporton Arbresh.info.
Që nga 15 qershori asnjë kamionë me mallra nga Serbia nuk ka kaluar në territorin e Kosovës dhe nuk janë lejuar të futen në asnjërën pikë kufitare.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti kjo masë nuk është për të pasur krize ekonomike, apo tregtare, por, është bërë masë sigurie.
Ekonomistët thonë se nga kjo ndalesë nuk do të humb vetëm Serbia, por edhe Kosova
Ekonomisti Burim Berisha, për Arbresh.info, thotë se kjo është një pengesë e madhe dhe dëmton ekonominë e dy vendeve.
Sipas tij, se kjo ndalesë do të jetë shkak i rritjes së inflacionit, sepse sipas tij ka tregtar që kanë blerë deri në 150 mijë euro mall nga Serbia.
“Vërtetë është një pengesë e madhe, duke diskutuar edhe me shumë biznesmen të mëdhenjtë në Kosovë, edhe mallrat e tyre janë të bllokuara në Serbi, qoftë ato mallra që i kanë bërë pagesat. Ka biznes që ka paguar 150 mijë euro për mallin që ka me hy në Kosovë dhe kjo ndikon në rritjen e çmimeve, për shkak se rezervat këtu në Kosovë janë të pakta. Këta automatikisht duhet me bë një veprim, ose me i rritur çmimet që i kanë në këto stoqe këtu që të mund të furnizohet bile njerëzit pak më shumë, apo mund të ndodh që të mos ketë furnizime të tjera që popullsia me mbet pa produkte të caktuara”, thotë Berisha.
Ai, pohon se kjo situatë e tillë do të ndikojë shumë në ekonominë e Kosovës, duke shtuar se shumë biznese janë duke u ankuar për ndalimin e këtyre kamionëve.
“Është një zinxhir i madh që do të ndikojë në rritjen e çmimeve pas asnjë dyshim. Në biznese ka mungesa të mëdha të mallrave, alternative e parë vjen që këto mallra që i ka ia rrit çmimin. Nëse vazhdon kështu do të jetë shumë shqetësuese. Do të ndikojë shumë në ekonominë e Kosovës, pasi në aspektin ekonomik jemi shumë mbrapa. Shumë biznese janë duke u ankuar për shkak se nuk po ka mundësi që të barten mallrat as në eksport e as në import”, shprehet ai.
Po ashtu, Berisha thekson se mbyllja e kufirit për kamionët me mallra serbë, më së shumti do të ketë ndikim tek qytetarët, të cilët sipas tij, do të paguajnë edhe për gjërat esenciale më shtrenjtë.
“Konsumatori duhet të jetë i fundit që duhet ta paguajë koston e veprimit të Qeverisë. Ndoshta mendon që do të bëhet një veprim i mirë për popullin, por në anën tjetër do të ndikojnë në varfërimin e xhepit të qytetarit. Me mbylljen e kufirit do të ndikojë që qytetarët të paguajnë edhe për gjërat më elementare çmim më të lartë. Në këto temperatura të larta ka mundësi që produktet të prishen dhe shkon i gjithë malli dëm”, shprehet ai.
Sipas tij, Qeveria mund të bëjë veprime të tjera kundër Serbisë, por jo t’i ndalojë mallrat.
Rexhepi: Kjo masë do të jetë e përkohshme, në ekonomi nuk do të vërehet ndjeshëm, as në ofertë e as në çmime
Në anën tjetër, ekonomisti Sejdi Rexhepi thotë se nuk beson se do të ketë ndryshim në çmimin e produkteve pas ndalimit të hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.
“Nisur nga një logjikë e tillë, edhe Qeveria e Kosovës ka vendosur që të pengojë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë, duke bërë në mënyrë indirekte presion te Qeveria e Serbisë që të ndryshojë qëndrimin e saj armiqësor ndaj Kosovës, e në veçanti pas rastit të kidnapimit të tre zyrtarëve policor në vendin e tyre të punës”, pohon Rexhepi.
Rexhepi këtë veprim e konsideron të përkohshëm, pasi sipas tij, kjo situatë në ekonomi nuk do të ndikojë në çmime.
“Konsideroj që kjo masë do të jetë e përkohshme dhe se ndikimi i saj në ekonomi nuk do të vërehet ndjeshëm as në ofertë e as në çmime. Kjo për faktin se bizneset që furnizohen nga Serbia duhet të kenë krijuar rezerva minimale për afarizëm normal. Mund të kenë pasoja për ato biznese kosovare që kanë kontrata furnizimi disa mujor, apo edhe afatmesme, ose që tanimë veç e kanë parapaguar furnizimin. Çdo vonesë në këtë aspekt do të reflektohet në afarizmin e tyre, sepse të njëjtat do të jenë të detyruara që të gjejnë furnizues alternativ, gjë e cila mund të rrisë kostot e tyre të operimit, por edhe të prodhimit”, thekson ai.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla arrestimin e tre policëve kufitar të Kosovës e ka cilësuar si kidnapim dhe për këtë ai ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të marrin masa dhe të rrisin presionin e Serbisë për t’i liruar policët dhe t’i ndalojnë provokimet.
Edhe Policia e Kosovës e quajti këtë veprim si “kidnapim klasik”.
Megjithëkëtë, Kurti tha se autoritetet dyshojnë se ky rrëmbim është bërë në shenjë hakmarrjeje.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviqi cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”, shkroi ai në Facebook.
Kurse mediat serbe kanë raportuar se rreth 700 kamionë janë duke pritur në parkingje nga Kraleva deri në Jarinjë për të hyrë në Kosovë.
Në fund të vitit të kaluar, importi i prodhimeve nga Serbia ka kapur vlerën e më shumë se 30 milionë eurove./Arbresh.info/Diellza Gashi/
Përmbytjet vdekjeprurëse në Spanjë, të paktën 93 persona rez...
LDK sot prezanton kandidatët për deputetë të Prishtinës
Mblidhet sot Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes
Moti sot në Shqipëri
Shukri Buja në Hagë e vazhdon dëshminë e tij për të katrën d...
Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara