Google ADS

Bllokimi i kufijve nga serbët, Kurti: Policia dhe agjentët u përkujdesën që planet e tyre të dështojnë

11:07 | 11 Shtator 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka komentuar aksionet e policisë për mbylljen e komunave ilegale serbe në veri si dhe tentimi për bllokimin e pikave kufitare me Kosovën nga qytetarët serb në Serbi.

Për aksionin e policisë, Kurti ka thënë se në veri nuk po mbyllen zyre, as nuk po kufizohen shërbimet, përkundrazi po shtohen ato, shkruan Arbresh.info

“Në fund të muajit të kaluar, pas raportimeve dhe dëshmive të konfirmuara se në katër komunat veriore po funksionojnë komuna paralele të Serbisë në hapësira të uzurpuara dhe po zhvillojnë veprimtari ilegale, institucionet tona të sigurisë kishin ndërmarrë veprime ligjore për mbylljen e tyre. Kjo na ka mundësuar neve që pastaj të ofrojmë veprime të ligjshme. Në ato objekte do të funksionalizohen njësia e patentë shoferëve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qendra për Punë Sociale dhe Shërbime të Mirëqenies Sociale në kuadër të Ministrisë së Financave, pastaj Shërbimi për Regjistrimin e Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme e shërbime të tjera të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Pra qeveria jonë nuk po mbyllë zyre përkundrazi po hap zyre. Nuk po kufizon shërbimet, përkundrazi po i shton ato, nuk po i largon shërbimet publike prej qytetarëve, përkundrazi po i ofron ato”, tha Kurti.

Mes tjerash, ai ka thënë se është parë javën e kaluar se kush është për mbyllje, duke ju referuar bllokimit të pikave kufitare të Serbisë më Kosovën.

I pari i ekzekutivit kosovar ka falënderuar zyrtarët policor dhe agjentët që u përkujdesën që plani i tyre të dështoj.

“Se kush është për mbyllje dhe kufizim e pamë edhe një herë në fund të javës së shkuar. Grupe personash të maskuar në prani të policisë së Serbisë në kufi me Republikën e Kosovës por në territorin e Serbisë, bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura. Institucionet tona kanë punuar që planet e tyre të dështojnë siç edhe ndodhi. Shpreh falënderim për zyrtarët policor dhe agjentët tanë të cilët janë kujdesur e përkujdesen çdo herë që qytetarët të shohin vetëm plane pozitive përkundër planeve të këqija që synohen”, tha tutje kryeministri Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme