Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha, i është drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj me një letër publike lidhur me shkarkimin e bordit të AKA-së.
Rexha thekson se është i vetëdijshëm se një ministër i ka emëruar dhe një tjetër mund t’i largojë, por sipas tij është ofenduese të thuhet se anëtarët e bordit janë jo kompetent dhe jo profesional është ofendim dhe përulje, sidomos për dy anëtarët ndërkombëtar, që kaluan pothuajse një jetë në arsimin e lartë dhe majat e shkencës në ShBA dhe Gjermani!
Lexoni të plotë reagimin e Rexhës në Facebook:
“Letër e hapur Kryeministrit për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim
I nderuar Kryeministër,
Me habi të madhe mora dje lajmin, nga mediat, për kërkesën tuaj për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë (Bordit) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim me arsyetimin “e parregullsive serioze”, “objekt i diskutimit publik” dhe keni kërkuar menjëherë rekrutimin e “njerëzve me ekspertizë të duhur në arsimin e lartë, me kredenciale të larta, etike dhe profesionale”!
Meqenëse ju nuk gjetët kohë të na vizitoni apo edhe të na ftoni në ndonjë takim informues për situatën dhe vizionin tuaj për arsimin e lartë, më lejoni të ju informoj për “parregullsitë serioze “ të prodhuara gjatë dy viteve që unë po udhëheqë Agjencinë:
Është zvogëluar numri i programeve të studimit nga 486 në vitin 2015 në 346 programe ne vitin 2017 si pasojë e mosplotësimit të kërkesave minimale të cilësisë sipas kornizës ligjore në fuqi,
Janë pezulluar mbi 140 programe të studimeve për mungesë të stafit akademik,
Janë mbyllur 8 institucione private të arsimit të lartë për shkak të mos plotësimit të kritereve minimale të cilësisë të përcaktuara sipas kornizës ligjore në fuqi;
Në mbledhjen e fundit të Bordit, të mbajtur me 22 shtator 2017, vendosem të bëjmë edhe tërheqjen e akreditimit për disa programe që tentuan të mashtrojnë Agjencinë – me profesor që nuk janë në Kosovë,
Ndaluam punën e mbi 60 profesorëve nga rajoni (Maqedonia, Shqipëria, dhe vendet tjera) vetëm për letra në institucionet tona të arsimit të lartë. Këta 60 “profesorë” kanë ofruar deklarime të rreme në Agjenci për qëllime të akreditimit, madje disa prej tyre as nuk ishin në dijeni që emri i tyre përdorej nga institucionet e arsimit në Kosovë, e disa nuk kanë qenë asnjëherë në Kosovë,
Ndaluam punën e të gjithë profesorëve në Kosovë me dy e më shumë vende të punës me orar të plotë,
Vendosem për herë të parë kufizimin në numër të studentëve të regjistruar, në pajtim me infrastrukturën që institucionet e arsimit kanë në dispozicion,
Bëmë publike listën e të gjithë profesorëve (bartësve) të programeve të studimeve,
Kthyem imazhin e lënduar të Agjencisë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe
Kemi marr konfirmim për punën e mirë edhe nga miqtë ndërkombëtarë edhe nga Komisioni Europian, siç e kanë shprehur në raportin e progresit të Kosovës për vitin 2016, sepse sigurisht ndajmë mendimin dhe parimet e njëjta për sa i përket zbatimit të ligjshmërisë dhe sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Ka edhe shumë disa “parregullsi” tjera, por po ndalem këtu.
Lidhur me proceset e akreditimit që janë bërë “objekt i diskutimit publik” – me lejoni të ju njoftoj se ky është parim bazë i organizatave evropiane ENQA dhe EQAR të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë, anëtarë së cilës është edhe Agjencia e Kosovës për Akreditimit. Arsimi i lartë i afekton të gjithë, jo vetëm studentët dhe profesorët, por edhe prindërit, ekonominë dhe krejt shoqërinë – andaj ne kemi involvuar të gjithë akterët, sa herë që kemi mundur, në “diskutim publik”. Arsimi i lartë është çështje publike! Aq më shumë, ne rritem transparencën në vendim marrje dhe vendosëm dialog me secilin institucion të arsimit të lartë.
Anëtaret e deritanishëm të Bordit janë njerëz shumë të respektuar në komunitetin e tyre, ata kanë kredenciale të larta akademike, profesionale dhe etike. Disa i njohin personalisht edhe këshilltaret tuaj, e për disa do të kishte mjaftuar ta pyetni edhe Google-in!
I nderuar Kryeministër, e kuptoj, se veprimet tona të fundit, me qëllim të rritjes së cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë (Rishikimi i Udhëzuesve dhe Standardeve të Agjencisë), rritjen e transparencës së arsimin e lartë (Projekti për Digjitalizimin e Procesit të Akreditimit), hartimin e standardeve për Monitorim etj. krejt këto të mbështetura me projekte nga donatorët ndërkombëtarë, janë shumë të avancuara për kontekstin në të cilin jetojmë, dhe disa i shohin edhe si pengese për vazhdimin e aktiviteteve të tyre biznesore. Vendimi juaj, pa ndonjë analizë paraprake të punës tonë dhe gjendjes aktuale në arsimin e lartë është mesazh jo i mirë për Kosovën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura në Kosovë!
I nderuar Kryeministër, jam koshient se një ministër na ka emëruar dhe një tjetër mund të na “ç’emëroj” – pa hatër mbetje, aq më shumë tani në kohë fushate. Por të na ofendoni për mungesë kompetence dhe profesionalizmi është ofendim dhe përulje që bëni jo vetëm shkollimit tonë në universitete evropiane e botërore por edhe institucioneve të shtetit të Kosovës! Është ofendim dhe përulje edhe për dy anëtarët ndërkombëtar, që kaluan pothuajse një jetë në arsimin e lartë dhe majat e shkencës në ShBA dhe Gjermani!
Krejt në fund, uroj që pasardhësit e mi të jenë me kompetentë, më profesional, më transparent dhe më të guximshëm në procesin e përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë, që aq shumë i duhet Kosovës, tani!” (sic).
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...
Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr në Ligën e Kamp...
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...