Biznesi duhet t’i përshtatet interesit të konsumatorëve, thonë përfaqësues të një kompanie kosovare, e cila, së voni, ka hapur një pikë shitjeje në Leposaviq – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Ata zotohen se në raftet e dyqanit të tyre ushqimor atje do të ketë edhe prodhime me origjinë nga Serbia.
Ne nuk bëjmë politikë. Kemi ardhur për biznes, t’iu ofrojmë konsumatorëve shërbim të mirë dhe cilësor, si dhe t’iu përshtatemi interesave të tyre”, thotë Nevzad Kadriu, përgjegjës për hapje dhe mirëmbajtje i një marketi.
Hapja e tij në Leposaviq, në fillim të muajit të kaluar, ka përkuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lejuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdare.
Për më shumë se një vit ato kanë qenë të ndaluara, si masë sigurie për Kosovën, ka thënë Qeveria e vendit.
Javën e kaluar, kur ekipi i Radios Evropa e Lirë ishte te dyqani në fjalë, aty nuk kishte prodhime të Serbisë. Arsye për këtë, sipas Kadriut, ishte koha e shkurtër prej tri javësh – që nga heqja e ndalesës – për t’u furnizuar me to.
“Gjithsesi, [prodhimet serbe] janë diçka e mirë për këtë pjesë të konsumatorëve dhe ne do t’i ofrojmë në të ardhmen”, thotë Kadriu.
Në anketa të mëhershme të Radios Evropa e Lirë, shumë qytetarë në veri kanë thënë se u mungojnë produktet me të cilat “janë mësuar gjatë gjithë jetës”.
Mungesa e tyre ka detyruar disa biznese në këtë zonë edhe të mbyllen.
Të dhënat nga Dogana
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, që nga heqja e masës që bllokonte importin e mallrave me origjinë nga Serbia, më 7 tetor, e deri më 25 tetor, në Kosovë kanë hyrë 528 dërgesa me mallra me origjinë nga Serbia, kryesisht ndërtimore dhe ushqimore.
Kadriu tregon se dyqanin në Leposaviq e frekuentojnë mbi 500 konsumatorë në ditë – shumica prej të cilëve, sipas tij, i takojnë komunitetit serb.
Beson se prania e prodhimeve serbe do të mund ta rriste, deri në një masë, numrin e tyre.
“Ndonëse, nga ajo që kemi parë deri më tash, mungesa e tyre nuk ka qenë ndonjë pengesë e madhe”, thotë Kadriu.
Nga 50 punëtorë sa ka dyqani që menaxhon ai, 47 thotë se janë të komunitetit serb, dy nga komunitetet tjera dhe një shqiptar.
Bizneset në veri
Bizneset shqiptare në veriun e banuar me shumicë serbe – posaçërisht ato të mëdhatë – kanë qenë thuajse joekzistente deri këtë vit.
Dyqane të shqiptarëve kanë mundur të vërehen kryesisht në lagje multietnike të zonës.
Kjo, për faktin se popullata atje, nën ndikimin e Serbisë dhe të strukturave të saj paralele në Kosovë, vështirë u është bindur vendimeve të institucioneve në Prishtinë.
Këto të fundit, në anën tjetër, kanë marrë së voni disa hapa, në përpjekje për ta shtrirë sa më shumë autoritetin atje.
Mes tjerash, kanë ndaluar qarkullimin e dinarit serb dhe kanë mbyllur disa institucione paralele serbe, duke i cilësuar si të paligjshme.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë të Kosovës, nga janari deri në shtator të këtij viti, në komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë regjistruar 220 biznese të reja, prej të cilave 19 me pronarë shqiptarë.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...