Google ADS

Bizneset mund të manipulojnë edhe me çmimin tavan

08:18 | 17 Korrik 2022
A Z

Qeveria e Kosovës ka marr vendim për çmimin tavan për të gjitha bizneset që shesin derivate, dhe ka paralajmëruar se do ta vendosë edhe për disa artikuj tjerë esencial të shportës së konsumatorit. Por, sipas ekspertëve, bizneset mund të manipulojnë edhe me çmimin tavan, shkruan arbresh.info.

Ekonomisti, Mustafë Kadriaj, thotë se çmimi tavan është mentalitet socialist dhe bizneset mund të manipulojnë me to.

“Pra, caktimi i çmimit tavan është mentalitet socialist i të bërit biznes dhe po ashtu sikur të binin çmimet në bursa bizneset mund të manipulojnë me çmimin tavan të derivateve duke mos ulur çmimet ndërsa kur e cakton marzhën e fitimit si do që lëvizin çmimet, e ke përqindjen e caktuar të marzhës së fitimit. E them  këtë sepse ka disa produkte që kanë marzhe të vogël, por kanë konsum të lart ndërsa disa produkte kanë marzhë të madhe, por konsum të vogël, kështu që çmimi tavan nuk përkon me ekonominë e tregut”, deklaron tutje Kadriaj.

Ekonomisti Sejdi Rexhepi për arbresh.info thotë se konkurrencë të mirëfilltë të tregut sot thuajse nuk ka askund,  si rezultat i monopoleve dhe oligopoleve, të cilat kanë aftësi dhe mundësi që duke shfrytëzuar fuqinë e tyre ta manipulojnë ofertën, kërkesën apo edhe çmimin.

Rexhepi thotë se është përgjegjësi e institucioneve që mbikëqyrin tregun me kujdes se sa biznese janë duke e keqpërdorur fuqinë e tyre ekonomike duke i rritur çmimet.

“Sa herë që vërehet se në treg bizneset po e keqpërdorin fuqinë e tyre ekonomike për përfitime duke shfrytëzuar pozicionin dominues, autoritetet shtetërore duhet të marrin masa të ashpra ndëshkuese, e në disa raste edhe rregulluese, siç është caktimi i çmimit tavan, ose rregullimi i marzhës së fitimit, siç është vepruar me çmimet e derivateve të naftës. Në këtë drejtim sigurisht se ka mundësi edhe të tjera siç është subvencionimi i çmimit, etj”, shprehet ekonomisti Rexhepi për arbresh.info.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar për muajin Qershor 2022 “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit”.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej  1,4% në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022.

Çmimet janë ngritur kryesisht tek buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,0%),mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbimet hoteliere (2,3%), kujdesi personal (1,5%) si dhe disa nëngrupe tjera me një ndikim të vogël./EjonaHyseni/arbresh.info/

Të ngjashme