Google ADS

Biznese, subvencione, shtëpi të reja, punësim, Kurti: Një republikë e të gjithëve, jo vetëm e shumicës

10:42 | 1 Nëntor 2023
A Z

Kryeministri, Albin Kurti ka reaguar sot lidhur me ndarjen buxhetore për komunitetet në Kosovë, ai  thekson se Kosova është një republikë e të gjithëve, jo vetëm e shumicës.

Kurti  shkruan se këtë vit ndanë për herë të parë një Fond të veçantë për komunitete jo shumicë, në vlerën prej 3 milionë eurove, me të cilat financuan 259 grante për fermerë, start-ups dhe OJQ me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete.

Tutje shkruan se nga shkurti i këtij viti e kemi rifilluar procesin e verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut duke ofruar kështu më shumë mundësi të reja të punësimit bartësve të këtyre diplomave.

Postimi i plotë i tij:

Një republikë e të gjithëve, jo vetëm e shumicës. E tillë është Kosova. E tillë është qeverisja jonë.

Në vitin 2022, mbështetëm 123 projekte për biznese të vogla dhe start-ups nga radhët e të gjitha komuniteteve. Këtë vit, ndamë për herë të parë një Fond të veçantë për komunitete jo shumicë, në vlerën prej 3 milionë eurove, me të cilat financuam 259 grante për fermerë, start-ups dhe OJQ me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete.

Me qëllim të njëjtë, themeluam dhe Grupin ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve. Vitin e kaluar, 104 qytetarë të këtyre tri komuniteteve, përfituan nga trajnimet që ofrohen nga Qendra e Trajnimeve Profesionale – trefish më shumë se një vit më herët. Ndërsa të dhënat e Agjencisë së Punësimit për vitin 2022 tregojnë se është shënuar një rritje prej 31% të numrit të vendeve të punës që kjo agjenci ka gjetur për komunitetet jo shumicë, ndërkaq që numri i vendeve të punës për komunitete jo shumicë, përbën 12.5% të totalit të vendeve të punës të gjetura përmes kësaj agjencie.

Më tej, komunitetet jo shumicë përbëjnë 17% të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje efiçiente, në kuadër të masave tona për efiçencë të energjisë. 9% e praktikantëve me pagesë përmes programit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve “Kosovo Generation Unlimited”, vijnë nga radhët e komuniteteve jo shumicë, përqindje kjo përfaqësuese në raport me tërësinë e popullatës.

Krahas buxhetit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për ndërtimin e shtëpive të reja për 19 familje, pakove ushqimore dhe higjienike për 373 familje, orendi për 58 familje dhe materiale ndërtimore për 102 sosh, përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kemi ndarë edhe 2 milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive bashkë me 1 milion tjera për projekte infrastrukturore prej të cilave përfitojnë veçanërisht pjesëtarët e komuniteve jo shumicë në komuna të vendit tonë.

Ndër 15 vite, bazuar në të dhënat vjetore të buxhetit 2008-2022, 10 komunat me shumicë serbe kanë pasur 62% më shumë buxhet për kokë banori se 28 komunat tjera të Republikës. Sivjet kanë qenë të planifikuara gjithsej 149 projekte kapitale në komunat me shumicë serbe që kapin vlerën e përgjithshme prej 12.3 milionë euro.

Në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare, kemi rritur kapacitetet e Zyrës për Kontrollin dhe Harmonizimin Gjuhësor në gjuhët zyrtare. E përtej ligjit, së fundmi kemi filluar edhe transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe, për informim më të mirë dhe më të drejtë të qytetarëve serbë me vendimet e qeverisë së tyre.

Nga shkurti i këtij viti e kemi rifilluar procesin e verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut duke ofruar kështu më shumë mundësi të reja të punësimit bartësve të këtyre diplomave./Arbresh.info/

Të ngjashme