Google ADS

Bislimi u prit në takim nga Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane, Christian Danielsson

16:22 | 27 Prill 2023
K.B

Vizita në Stockholm e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, vijoi me takimin e përbashkët me Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane, Christian Danielsson.

Rrugëtimi i Kosovës në proceset e integrimit evropian ishte në fokus të diskutimeve.

Bislimi foli mbi zhvillimet pozitive evropiane për Kosovën si liberalizimi i vizave, kalimi i etapës së parë në anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe nevojën për të ecur tutje në fazat e ardhshme me aplikimin për anëtarësim në BE, të cilat do ishin fillimisht marrja e pyetësorit e më tej statusi i vendit kandidat.

Vendi ynë ka shfaqur dhe treguar përkushtimin ndaj vlerave evropiane e vullnetin për të avancuar drejt standardeve evropiane.

Orientimin e Kosovës e dëshmuan më së miri Raporti për Vendin i Komisionit Evropian i vitit të kaluar e poashtu dhe rankimet e vazhdueshme pozitive e në rritje të vendit në indekset ndërkombëtare si Transparency International, World Justice Project, V-Dem Democracy Index, Freedom House e shumë të tjera.

Ata shfaqën avancimin e Kosovës në fusha kyçe si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundimi i ligjit, demokratizimi, zhvillimi ekonomik e mbrojtja e të drejtave kolektive e lirive individuale.

7 vite pas nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e reformave dhe agjendës evropiane. Vetëm në dyvjeçarin e fundit, është arritur miratimi i numrit më të lartë ndonjëherë të projektligjeve të reformave në kuadër të Integrimit Evropian.

Si vendi me përkrahjen më të madhe ndaj integrimit në strukturat evropiane nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e shtyrë nga forca, vullneti dhe energjia e një popullate me moshë mesatare të re, Kosova është gati të bëjë hapa të rëndësishëm dhe solid në integrimin brenda familjes evropiane.

Në këtë takim si dhe përgjatë vizitës dhe qëndrimit në Stockholm, zëvendëskryeministri Bislimi u shoqërua nga Ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme